Pas shpërthimit të një mase tritoli në ambientet e jashtme të banesës së gjyshërve të Xhisiela Malokut, banesë në të cilën jeton edhe ajo me nënën dhe motrën, policia e Krujës e ka marrë në mbrojtje familjen Maloku.
Dy efektivë të forcave speciale të policisë ndodhen para hyrjes së shtëpisë ku jeton Xhisiela Maloku. Një furgon policie, me një tjetër efektiv brenda saj shihen pranë banesës. Masat që ka marrë policia vijnë pas shpërthimit që ndodhi pranë banesës në fshatin Larushk të Fushë-Krujës rreth orës 23:30 të së dielës.
“Në fshatin Larushk Fushë-Krujë, në cepin e oborrit që lidh banesat e shtetasve B.M dhe R.M (gjyshi i Xhisielës i vëllait të tij) është hedhur nga rruga dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse”, njoftoi Policia.
Xhisiela, tha për mediat pas ngjarjes se ka dyshime se në shpërthim ka gisht opozita.