Nga salla e një tjetër hoteli luksoz të Tiranës (mjedise ku së fundmi Basha ka vendosur të bëjë opozitë), kreu demokrat ka publikuar atë që e quan platformë të çlirimit të zgjedhjeve nga krimi.
Vetë Lulzim Basha foli për katër pika të kësaj platforme, mes të cilave edhe objektivi për reduktim të shpenzimeve të fushatës nga partitë politke.
Për Lulzim Bashën, ka ardhur koha që të bëhet transparencë për financimet e partive, si një mënyrë për të dekriminalizuar procesin zgjedhor.
Paradoksalisht, kërkesa vjen nga i njejti politikan që sot e kësaj dite, nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për paratë që kaloi në firma lobimi offshore.
Basha nuk dha asnjë shpjegim se ku i gjeti 675 mijë dollarët që i pagoi “Stonington Strategies” përmes kompanisë guackë “Biniatta” për të lobuar në SHBA.
Për më tepër, Basha që sot flet për transparencë publike të financimeve, rezultoi se këto shpenzime nuk i kishte deklaruar në KQZ, në kundërshti me ligjin.
Asokohe, Jozefina Topalli dhe drejtues të tjerë të PD akuzuan Bashën se vendimet për lëvizjen e parave nuk janë marrë si vendime të forumeve të Partisë por ishin vendime private të Bashës.
Transparenca e financimeve është pjesë e rëndësishme e procesit zgjedhor, por nëse kreu demokrat e ka seriozisht këtë kërkesë, do të duhet t’ja nisë fillimisht nga vetja, si e vetmja mënyrë për të qënë i besueshëm në sytë e qytetarëve shqiptarë./Lexo.al