Një turist kroat ka mbetur i mahnitur nga ajo që i ka ndodhur në Shqipëri. Ai ka humbur portofolin ditën e fundit të pushimeve të tij në Sarandë. Por pas kthimit në Kroaci i ka ndodhur diçka që nuk ia priste mendja.
Portofoli me gjithçka kishte brenda i ka mbërritur me postë në shtëpi, – shkruan gazeta DITA e cila ka raportuar rastin e rrallë që vlen më sa qindramijëra euro reklamë për turizmn shqiptar.
Djali që ka gjetur portofolin ia ka dërguar shoqëruar me një shënim miqësor, ku me shaka i shkruan: “E di që ia kalove shumë mirë në Sarandë por nuk ishte nevoja të lije një bakshish kaq të madh :)”
Kroati e ka ndarë ngjarjen me miqtë e tij në rrjete sociale.
“Ma dërguan portofolin me të gjitha paratë brenda dhe të gjitha kartat bankare. Shqipëria është kaq e bukur, shqiptarët janë njerëz ekstra” – shkruan ai.
DITA ka mësuar se në portofolin e turistit kishte 300 euro dhe djali që ka kryer këtë akt fisnik quhet Alban Koka.