Doktor Sait Bilal Golemi ishte një mjek veterinar, shkencëtar dhe atdhetar i shquar. Do të lindte në Golem të Kurveleshit. Babai i tij ishte fukara,ndaj në vitin 1906 do detyrohen të mërgojnë me gjithë familjen nëTurqi dhe të vendosen në qytetin e Stambollit.
Bilali kishte ruajtur në zemër bukuritë e Golemit, pa harruar gjuhën e nënës, vazhdoi shkollën fillore dhe të mesme. Më 1923 kreu dhe shkollën e Veterinarisë Ushtarake dhe u diplomua mjek toger.
Me shpenzimet e tij shkoi në Gjermani për specializim të lartë. Atje pati mundësi të qëndronte vetëm 4 muaj se shpenzimet e shkollimit ishin tepër të shtrenjta. Kaloi në Paris ku vazhdoi Institutin Pastuer, por nuk neglizhoi edhe profesionin e parë, veterinarinë.
Në Paris u njoh me shkencëtarë të famshëm. Atje u martua me një franceze fisnike. Por zemra i rrihte për atdheun e lindjes. Më 1928 u vendos në Shqipëri, bashkë me nusen franceze të shqiptarizuar. Zonja Nilyfer edhe shqipen dhe turqishten i fliste fare bukur.
Kur erdhi Dr. Bilal Golemi për shërbim në Shqipëri. Ahmet Zogu ishte vetëshpallur “Mbret i shqiptarëve”. Doktor Bilali nisi të shërbejë në lëmin e zooteknikës duke bërë hulumtime në këtë degë.
Dr. Bilal Golemi, i brymosur në Turqinë qemaliste dhe i kalitur në Francë, si republikan, demokrat e laik, nuk pajtohej me qëndrimin feudal monarkist. Po dhe Ahmet Zogu kërkonte gjithmonë rastin për t’a futur në grackë doktor Golemin.
Doktori themeloi laboratorin bakterologjik-veterinar. Mirëpo reaksionarët atë do ta përziejnë me lëvizjen e Vlorës më 1930. Gjykata zogiste do e dënojë doktorin me 101 vjet burgim. Golemi protestoi me grevë urie dhe nuk hoqi dorë nga pikëpamjet e tij demokratike.
Regjimi i Zogut për shkak të presioneve të brendshme popullore e të jashtme, Dr. B. Golemin bashkë me disa shokë të tjerë si Dr. Tare Libohova etj, e fali më 13 shkurt 1935.
Shkencëtari, i sakatosur në mushkëri, shkoi prapë në Turqinë qemaliste, ku u prit me kënaqësi. Punën e nisi në “Hara” të Karaxhabejit afër Bursës, më pas shokët e tij e thirrën në Ankara.
Në kryeqytet punoi si bakteriolog, mori pjesë në shumë kongrese kombëtare e ndërkombëtare dhe u dallua si shkencëtar i rrallë. Më 1952 u emërua drejtor i qendrës shëndetësore “Refik Saydam” e cila ishte një spital pilot.
Doktor Golemi që vuante nga enfizema e trashëguar nga burgjet e Shqipërisë zogiste, do të vdiste më 15 mars 1955 në Stamboll, duke u varrosur në Istinye, në brigjet e Bosforit, pranë babait të tij, Ali Golemi.
Dr. Sait Bilal Golemi më 1952-in kishte marrë nga qeveria franceze medaljen “Legjion d’Honneur”. Gjithashtu Shqipëria do ta nderojë me Urdhërin e Punës të Klasit të I-rë dhënë nga Kuvendi Popullor më 1969.
Doktor Bilal Golemi ka kryer më tepër se 50 studime shkencore origjinale në lidhje me profesionin e tij. Një dhomë në “Refik Saydam Saglik Merkezi” është pagëzuar me emrin “Dr. Sait Bilal Golemi Salonu”. Në këtë sallon zhvillon aktivitetin e tij laboratory B.C. G.
(Shqiptarët në Perandorinë Osmane)