Janë arrestuar Rikard Ljarja dhe Justina Aliaj! Ky lajm kishte hapur panik në Tiranë dhe në Shkodër në vitin 1973. Lajmi kishte qarkulluar nga Teatri Kombëtar në Kinostudio, në rrethet artistike në Shkodër e deri në kupolën më të lartë të regjimit komunist.
Një shkresë e datës 4 korrik 1973 në Komitetin Qendror zbardh gjithë ngjarjen alarmante. Pas furtunës në rrethet e artistëve pas festivalit të 11të në RTSH, dhe fjalimit të famshëm të Enver Hoxhës në mars 1973 për të luftuar çdo shenjë modernizmi, dënimet e artistëve dhe shkrimtarëve u bënë më të shpeshta. Por në këtë rast lajmi i arrestimit të Rikard Ljarjes e Justina Aliajt ishte një lajm i rremë.
Në Komitetin Qendror ishte ngritur si shqetësim qarkullimi i këtij lajmi. Shkresa e Komitetit Qendror zbulon detaje mbi ngjarjen:
“Me datën 28/VI 1973 në mbrëmje dy punonjës të Kinostudios Sonja Mamaqi dhe Dallëndyshe Baboçi marrin në telefon në shtëpi aktoren Tinka Kurti dhe mes të tjerash i thonë se janë të shqetësuara për arrestimin e Justina Alisë dhe është shqetësim e ka edhe Viktor Gjika, regjisor i një filmi ku merr pjesë Justina, sepse ka frikë mos po i anullohet filmi. Nga ana tjetër edhe dy punonjës të Teatrit Popullor që kanë ardhur për turne këtu në Shkodër konfirmojnë qarkullimin e fjalëve të tilla.
Nga ana jonë këtë problem ia kemi ngritur shokëve Naim Frashëri, sekretar partie në Teatrin Popullor dhe Endri Keko sekretar Partie në Kinostudio”.
Nuk zbulohet se nga e kishin origjinën këto lajme mbi arrestimin e dy artisteve të famshëm. Me shumë gjasa e gjithë fushata e thashethemeve ishte ndonjë lojë e Sigurimit të Shtetit, për të krijuar gjendje terrori në rradhë te artistëve, pikërisht në këtë periudhë kur fushata për tu ulur kokën të gjtihë artistëve modernist kishte arritur kulmin. (Hithra.al)