Shqipëria, ashtu sikundër disa vende të Ballkanit janë në axhendën e Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj në Ballkan.
Dhe këtë dominim Moska kërkon ta vendosë përmes nxitjes së përplasjeve etnike, politike e fetare të realizuar me anë të emisarëve të saj, spiunë të shërbimeve sekrete ruse në këto vende.
Megjithëse dështoi në Malin e Zi, disa herë në Maqedoni, por dhe në Shqipëri ndërkohë që në Serbi ka vijuar të ketë balancën e dominimit, Rusia nuk heq asnjëherë dorë.
Kështu që në Shqipëri ka aktivizuar spiunët më të kualifikuar të saj, të cilët janë të “atashuar” pranë politikanëve të nivelit të lartë, si këshilltarë kryesorë të tyre.
“PAMFLETI” ka qënë i pari që ka nxjerrë emrat e këtyre këshilltarëve, Edi Lesin ish gazetar dhe këshilltari kryesor i kreut të opozitës Lulzim Basha dhe Arben Cici ish këshilltar diplomatik në Presidencë, dhe aktualisht drejtor i kabinetit të Presidentit Ilir Meta.
Zbulimi i këtyre spiunëve të shërbimit sekret rus, të rekrutuar shumë vite më parë, dhe që japin informacione çfarë ndodh në Shqipëri, ka ardhur për shkak të vënies nën përgjim të tyre nga ana e Shërbimit Sekret Shqiptar, SHISH.
Në fillim SHISH kishte vënë nën përgjim një nga këshilltarët më të afërt të Lulzim Bashës, në bashki dhe tashmë në PD, E.L, i cili ka qënë një emër i njohur dhe në gazetarinë shqiptare.
Në përfundim të këtij përgjimi, rezultati ka qënë befasues dhe ka treguar se këshilltari i Bashës është rekrutuar nga spiunazhi rus kundrejt pagesës dhe beneficeve të tjera për të dhe për kreun e partisë të cilës i shërben.
Shërbimi sekret rus që prej vitit1999 ngriti një rrjet agjenturor në Shqipëri në të cilin janë përshirë, gazetarë, diplomatë të ministrisë së Jashtme shqiptare, një shtetase ruse e martuar me një shqiptar, dhe 3 persona të tjerë të cilët nuk u identifikuan asnjëherë nga shërbimi ynë sekret.
Pjesë e survejimit të shërbimit sekret shtetëror shqiptar, ishte dhe E.L që më pas u “katapultua” në postin e këshilltarit të kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe më tej të kryetarit të PD Lulzim Basha.
SHISH ka mbajtur nën survejim 18 persona mes tyre 5 persona me nënshtetësi ruse 1 grek dhe 12 të tjerë shqiptarë. Veprimtaria e 18 personave të survejuar në këtë dosje spiunazhi, nis në vitin 1999 dhe vijon.
Dokumenti prej 28 faqesh vendos në qendër të këtij operacioni spiunazhi një shtetas rus i cili përmes një pasaporte shërbimi mbërriti në Shqipëri si korrespondent i një gazete ruse për të mbuluar te gjithë hapësirën Shqiptare Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi.
Ai rekrutoi dhe E.L këshilltarin e kreut të opozitës Lulzim Basha, dhe pavarësisht bërjes publik të këtij fakti, ai ende as e ka pohuar dhe as mohuar publikisht të qënit e tij spiun i Rusisë.
Por rusët nuk u mjaftuan vetëm me rekrutimin e këshilltarit të kreut të PD Lulzim Basha, ata u ngjitën dhe në kupolën më të lartë të shtetit, Presidenca.
Dhe politikani i lartë që ka lidhje me rusët përmes këshilltarit të tij, është Presidenti i Republikës Ilir Meta. Këshilltari i tij, tashmë drejtor kabineti, spiun i vjetër i shërbimit sekret rus është Arben Cici.
Zbulimi i aktivitetit të spiunazhit të Cicit në favor të rusëve ka ardhur pas shqetësimit të SHBA dhe aleatëve të tjerë në NATO se kishte rrjedhje informacioni sekret drejt Rusisë.
SHISH, me ndihmën e shërbimeve sekrete partnere vuri në mbikëqyrje të gjithë njerëzit që dyshonte se kishin lidhje me rusët. Këta eksponentë përveç survejimit, janë përgjuar çdo ditë.
Gjatë këtyre përgjimeve që janë kryer, ka rezultuar se kontakte me Moskën ka pasur Arben Cici i cili është drejtor i kabinetit të Presidentit Ilir Meta.
Nga përgjimet është zbuluar se presidenti Meta, duke përdorur këshilltarin e tij, ka arritur të vendosë kontakte që nga ambasada e Rusisë në vendin tonë, e deri te Ministria e Jashtme ruse e qeveria e Kremlinit. Njëherësh ka rezultuar se Cici ka marrë urdhër nga shefi i tij Meta për të krijuar një rrjet të fortë biznesmenësh rusë në Shqipëri.
“PAMFLETI” ka shkruajtur se qëllimi i Metës ka qenë dhe është që disa biznesmenë rusë të vijnë në vendin tonë dhe të zhvillojnë biznese, që nga rrjeti i naftës, e deri të ngritja e shoqërive turistike apo hoteleve dhe restoranteve në bregdet.
Kjo forcon pozitat e tij si nga ana financiare, por dhe nga ajo politike si dhe i shërben për të transferuar paratë e krimit dhe të abuzimit me pushtetin në rrugë të tjera, drejt Rusisë, që janë jashtë kontrollit të institucioneve Perëndimore dhe të SHBA.
Por kanë kaluar shumë kohë dhe dosja prej 28 faqesh e përgjimit që ka realizuar SHISH dhe organet homologe partnere është në gjendje të “fjetur”, dhe nuk është prekur nga Prokuroria.
Përpos informacionit të dalë në mënyrë konfidenciale për median se, do të thirreshin këshilltari i Bashës dhe drejtori i kabinetit të Metës, organi ynë i akuzës s’ka bërë asnjë veprim të mëtejshëm.
Kjo ka shqetësuar FBI dhe organet partnere të vendeve të BE, të cilët i kanë kërkuar me insistim Arta Markut të verifikojë dhe të hetojë menjëherë akuzat e lidhjes së këshilltarëve të Bashës dhe Metës me Moskën si dhe të verifikohen e hetohen të gjitha përgjimet ku del emri i tyre. Njëherësh është kërkuar të hetohen të gjitha mesazhet e koduara që janë dhënë për shërbimin sekret rus prej tyre.
Partnerët tanë SHBA dhe BE e quajnë jetike për Shqipërinë dhe Aleancën zbardhjen e aktivitetit të këtyre spiunëve rusë të atashuar pranë kreut të opozitës dhe Presidentit dhe mbi të gjitha përllogaritja e dëmit që kanë shkaktuar me informacionet që kanë dhënë për Moskën.
Pasi jo pa qëllim, dhe lobimet që kanë bërë në Amerikë për të sjellë PD dhe LSI në pushtet, Basha dhe Meta i kanë bërë me paratë e shërbimit sekret rus nga parajsat fiskale./Pamfleti