Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim biznesmenin Ervin Mata për ngjarjen e dy ditëve më parë në zonën e “Ish-Bllokut” në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj.
Biznesmeni është prej kohësh në një lidhje dashurie me këngëtaren e njohur Elvana Gjata. Policia dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur pas një sherri për ngacmimin e këngëtares, megjithatë, asgjë nuk është konfirmuar ende.
Policia ka nisur operacionin për gjetjen e biznesmenit Mata. Por, cili është ai? Ervin Mata, sipas QKB-së, në emrin e tij ka vetëm të regjistruar një biznes, që merret me tregtimin dhe servisin e pajisjeve kompjuterike. Biznesi në fjalë është regjistruar që në vitin 2009 dhe është në proces falimenti. Por nga ana tjetër, në qarqet e ngushta të botës së biznesit, ai njihet si pronar i një hoteli në “Rrugën e Dibrës”.
Hoteli në fjalë, në fakt, është i regjistruar në emër të babait të tij. Gjithashtu, me të njëjtin emër, në QKB është regjistruar edhe një kompani tjetër, e cila merret me konstruksione metalike, po në emër të babait të Matës. Për biznesmenin, i cili është shpallur në kërkim tashmë si personi kryesor i dyshuar për vrasjen e Fabian Gaxhës, është shkruar mjaft nga shtypi rozë, por pa mundur ta identifikojnë atë. Vetë këngëtarja nuk ka dashur ta bëjë publik identitetin e tij.
Njohja me Matan
Pak kohë më parë, këngëtarja Elvana Gjata pranoi publik- isht se ishte fejuar me një biznesmen, pa zbuluar emrin e tij. Për Matën dihej vetëm se kishte një hotel dhe se ishte i gatshëm të mbulonte shpenzimet e këngëtares. Elvana foli për fejesën për herë të parë kur ishte në SHBA, teksa mundohej të realizonte disa projekte të reja muzikore.
Elvana njihej dhe ishte në një lidhje me biznesmenin Mata që prej vitit 2015, por zyrtarizmi i fejesës erdhi në vitin 2017. Elvana shijonte lidhjen e saj me udhëtime të shumta dhe shpenzime marramendëse, sepse partneri i saj nuk kursente asgjë për të plotësuar këngëtaren në çdo aspekt. Dhe kështu, Elvanës nuk i mungonte asnjë gjë për të jetuar si në përrallë. Ishte pikërisht partneri i saj, i cili investoi në biznesin e fustaneve “Altar”, që shumë shpejt këngëtarja e shiti.
Ndërkohë, ishte ai, që shpenzonte shuma të mëdha parash për fillimin e karrierës së Elvanës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kujtojmë që ajo festoi një 30-vjetor përrallor me shpenzime që kapën 20 mijë euro vetëm për udhëtimet e fundjavave.
Pas klipit “Lelja” dhe mbylljes së epokës dashuri & muzikë me Flori Mumajesin, këngëtarja e njohur Elvana Gjata hyri në një fazë të re të jetës, që nga rrëfimet e miqve të afërt është vërtet si në përralla. Mirëpo, edhe kjo fazë nuk zgjati shumë, teksa i dashuri i këngëtares tashmë është në kërkim nga Policia.
Bizneset
Në emrin e Ervin Matës në QKB figuron i regjistruar vetëm një biznes, i cili merret kryesisht me shitjen dhe servisin e kompjuterëve. Ky biznes është në proces falimenti dhe Ervin Mata figuron i vetmi aksioner aty. Gjithashtu, në QKB figurojnë edhe dy biznese fitimprurëse, por jo në emër të Ervin Matës. Bëhet fjalë për një hotel dhe një firmë konstruksioni që janë regjistruar në emër të babait të Ervin Matës, të fejuarit të Elvana Gjatës.
Lidhja
Këngëtarja Elvana Gjata ka qenë në një lidhje dashurie me Ervin Matën që prej vitit 2015, por pa e bërë asnjëherë publik këtë fakt. Në vitin 2017, këngëtarja pranoi në disa intervista për mediat se ishte fejuar me një biznesmen, por pa e zbuluar emrin e tij. Ajo thoshte se ndihej shumë mirë nën shoqërinë e tij dhe se ai i përgjigjej gjithnjë. Megjithatë, këngëtarja ka mbajtur profil të ulët për të fejuarin, duke mos bërë postime publike për të.
Këngëtarja: Zoti më ka sjellë një fat shumë të mirë
Disa muaj më parë, në një intervistë ekskluzive në “Xing me Ermalin”, Elvana Gjata ka pranuar publikisht se është në një lidhje dashurie. Por ajo nuk e ka treguar emrin e të dashurit të saj, biznesmenit Ervin Mata, i cili është shpallur sot në kërkim nga Policia së bashku me dy miq të tij, mbi të cilët rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese.
Gjatë intervistës në shtëpinë e këngëtares, Ermali e ngacmoi paksa, duke i thënë: “Po mirë mi goc, vajte 62-vjeç edhe ngele gjithë jetën beqare”. “Mesa duket gjërat kanë ndryshuar”, iu përgjigj Elvana. “E ke parasysh kur ke një gjë të mirë dhe s’do që ta… ke frikë”, shtoi këngëtarja. “Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë”, u shpreh Elvana, ndërsa Ermali e uroi:
“Hajde në dasmë o Zot” dhe e pyeti: “A është familje e mirë?”, “Ah sa e bukur ishte kjo”, e përmbylli bisedën Elvana për të mos zbuluar më shumë. Lidhja e Elvana Gjatës me biznesmenin e njohur në fushën e ndërtimit është tentuar vazhdimisht që të mbahet larg vëmendjes së mediave, preferuar kjo nga vetë këngëtarja. Edhe në festën e mbajtur në 30-vjetorin e saj, Mata nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa këngëtarja shoqërohej vetëm nga vjehrri dhe vjehrra e saj.
Këngëtarja ka qenë gjithmonë e rezervuar sa i përket identitetit të të fejuarit të saj. Ajo nuk ka preferuar asnjëherë të dalë në publik me të fejuarin apo të hedhë foto me të në rrjetet sociale. Edhe lidhur me ngjarjen, ende nuk ka asnjë reagim nga këngëtarja. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë ende, ndërsa nuk është i qartë pozicioni i këngëtares në grindjen mes dy grupeve./Panorama