“Ata që janë në pushtet dridhen e kanë frikë nga ndryshimet. Të tjerët që janë të përmbysur I ëndërrojnë këto ndryshime dhe përpiqen ti arrijnë ato me cdo kusht. I shkreti popull që qëndron në mes dhe paguan dëmet dhe haracin. Ai njësoj heq dhe vuan dhe kur pushteti quhet diktaturë.
Por edhe kur quhet demokraci”. Ky është mesazhi që aktori I njohur Mirush Kabashi do të përcjellë për publikun në shfaqjen “Ah moj Demokraci?!”, një koncert recital I cili do të ngjitet sot në skenën e Teatrit Aleksandër Moisiu të qytetit të Durrësit. Aktori do të intepretojë pjesë të zgjedhura nga poetët Dritëro Agolli, Ismail Kadare,Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Nënë Tereza, etj. E gjithë shfaqja është konceptuar me tone të thella emocionale, duke e përfshirë publikun në intepretimin e ndjerë të Kabashit.
Udhëheqës artistik I shfaqjes është Alfred Bualoti, skenografia nga Bujar Kapexhiu, ndërsa skenari dhe regjia nga Marsel Rupi. Mirush Kabashi është një ndër aktorët që është përfshirë vitet e fundit në performance që e lidhin direkt me publikun, përmes monodramave apo leximit të poezive.
Aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma ai shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Shfaqja “Ah moj Demokraci?!”,do të ngjitet në skenën e Teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës këtë fundjavë./gazeta shqip