Sërish ai, sërish me goditje dënimi, sërish gol spektakolar: Enis Bardhi magjeps La Ligan dhe bën të fluturojë Levanten, sepse me një predhë, një gjuajtje gjeniale sikur të kishte klasin dhe eksperiencën e të mëdhenjve si Ronaldinho e Pirlo, mposhti Getafen dhe siguroi fitoren 1-0 për Levanten në tranfertë.
Një gol nga ata që hyjnë në podiumin e perlave të sezonit, me portierin Soria që fluturoi në trekëndësh, por ishte një gjuajtje që nuk mund të kapej, prej snajperi të vërtetë.
E nisi nga stoli djaloshi shqiptar, por vetëm 15 minuta iu deshën për të marrë masat dhe për të shënuar golin vlen suksesin e dytë rresht për Levanten.
Nëntë gola sezonin e shkuar, të gjithë shumë të bukur, shumica nga goditja e dënimit, ndërsa këtë sezon takimi me golin vonoi, por ia vlejti, sepse goli në fushën e Getafes është nga ata që vlen jo thjesht tre pikë, por edhe vetëdijen se mund të jetë një sezon i mbarë, larg halleve të sezonit të shkuar, kur rënia nga kategoria u shmang vetëm falë ecurisë të mrekullueshme në pranverë. /CNA.al