Sali Berisha, për ata që e njohin nga afër, nuk shquhet për ndonjë trim i madh, për më tepër që thonë se është shumë frikacak.
Në të vërtetë, vrasjet më makabre në tërë historinë botërore dhe shqiptare nuk janë bërë nga trimat, por nga frikacakët. Të cilët vrasin nga frika, ndjehen gjithnjë të kërcënuar dhe reagojnë.
Megjithatë, duke qënë në kushtet kur deri më tani Berisha s’është akuzuar asnjëherë zyrtarisht për vrasje, por vetëm për mbështetje ndaj krimeve që kanë ndodhur në këtë vend, ne thjeshtë dhe vetëm analizojmë deklaratat dhe veprimet e tij, ato që janë parë dhe dëgjuar publikisht.
Ajo që vihet re në të gjitha daljet e fundit publike të Sali Berishës është se theksi kryesor i tij ka qënë një: Rrëzimi me grusht shteti i qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Një kërcënim i tillë nga Berisha ka ardhur në kushtet kur është shumë i zhgënjyer që përzgjodhi në krye të PD-së Lulzim Bashën, që në kushtet e politikës aktuale është krejtësisht jashtë loje, dhe në perceptimin e ish kryeministrit, me të në krye, PD dhe opozita nuk vjen kurrë në pushtet.
Ndërkohë që Berishën e bren dhe dyshimi i fortë se Lulzim Basha, në bashkëpunim e në sinkron të plotë me Edi Ramën, kryeministrin e vendit, po punojnë pas shpinës së tij, për t’ia faturuar të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij.
Frika se mund të jetë “kurbani” i paktit të ri Rama-Basha dhe njëherësh dhe i Reformës në Drejtësi, duke përfunduar në pranga për krimet dhe abuzimet gjatë qeverisjes së tij, e ka bërë Berishën të frikësohet dhe të mundohet me të gjitha mënyrat të shpëtojë veten dhe familjen.
Një ndër mënyrat që ka zgjedhur është kërcënimi për grusht shteti për të rrëzuar Ramën.
Në krye të herës ajo që mund të themi është se Edi Rama është bërë me kohë për të ikur nga pushteti jo se e kërkon Berisha, por për shkak të zullumeve që ka bërë në këto pesë vite në krye të qeverisë.
Por Berisha kërcënimin për grusht shteti nuk e bën për faktin se vërtetë mund ta organizojë dhe rrëzojë Ramën me një veprim të tillë, pasi në këto momente askush nuk do ta ndiqte pas ish kryeministrin.
Berisha e ka mendjen të hapja e dosjeve të rënda të krimit, duke filluar me “Gërdecin”, “21 janarin”, aferën e CEZ-DIA, “Rrugën e Kombit” dhe një sërë dosjesh të tjera krimi dhe abuzimi me pushtetin që i rezervojnë ish kryeministrit një burg të sigurtë.
Ndaj kërcënon me grusht shteti dhe destabilizim të situatës, duke paralajmëruar se kjo mund të ndodhë nëse prangoset ai. Frika e ka bërë që të reagojë.
Ndërkohë që herë pas herë nxjerr dhe Enkelejd Alibeajn për të bërë deklaratat që ai servir, thjeshtë dhe vetëm duke shfrytëzuar faktin se ish ministri i Drejtësisë në kohën kur drejtonte njësinë antikorrupsion në kryeministri përgatiti dosjen e biznesit të Gërdecit.
Janë një numër shumë i madh e-mailesh të tij me drejtorinë juridike të Ministrisë së Mbrojtjes që në emër të Berishës përgatiste detajet e biznesit të vdekjes së djalit të tij Shkelzen Berisha në Gërdec.
Njëherësh Alibeaj ka qënë personi më i spikatur në shërbim të Berishës kur ishte ministër Drejtësie për të zhdukur të gjitha provat dhe faktet e vrasjes shtetërore të “21 janarit” para kryeministrisë.
Ndaj frika nga burgu bën që Berisha të përdorë të gjitha mënyrat për të shpëtuar./Pamfleti