Audio-përgjimi i Agron Xhafaj, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafja, sipas prokurorisë ka qenë një manipulim i pastër.
Albert Veliu i njohur me nofkën “Babalja” ishte personi që bëri audio-përgjimin së bashku me gazetarin Jetimir Olldashi. Audio-përgjimi që pretendonte se kishte të dhëna për aktivitetin e jashtëligjshëm të vëllait të ministri u publikua nga Partia Demokratike dhe deputeti Edvin Salijani në muajin maj të këtij viti.
Ditën e sotme nga burime të prokurorisë ka dalë një emër i ri në historinë që ndodhi disa muaj më parë. Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut, sipas prokurorisë dyshohet të jetë personi që ka imituar zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm, gjatë bisedës që pretendohej se ishte zhvilluar në një lokal në Vlorë.
Detajet janë publikuar sot nga Prokuroria e cila ka kërkuar dhe procedime penale për personat e përfshirë në këtë histori. Konkretisht mbi mbi Albert Veliun, i cili u cilësua dëshmitarin “X” apo “Babalja” rëndon akuza e kallëzimit të rremë. Veliu akuzohet dhe për kalim të paligjshëm të kufirit, pasi pas publikimit të adudio përgjimit u largua nga Shqipëria drejt Kosovës.
Akuza e kallzimit të rremë rëndon dhe mbi kunatin e Fredi Alizoti, njeriu që dyshohet se dubloi zërin e Agron Xhafajt në përgjimin e sajuar, sipas prokurorisë.
Gjithashtu, Prokuroria ka dhënë masën detyrim paraqitje për gazetarin Olldashi, që intervistoi “Babalen”. Edhe ndaj gazetarit mësohet se rëndon akuza për kallëzim të rremë. Prokuroria mori në pyetje një ditë më parë edhe deputetin e PD, Edvin Salijanji.
Materiali i përgjimit u dërgua nga institicionet shqiptare për ekspertizë në një laborator të huaj. Ekspertiza arriti në përfundimin se ishte e pamundur të identifikoheshin personat që ndodheshin në regjistrim, por konfirmoi se materiali origjinal ishte montuar dhe kishte pësuar modifikime të shumta.
Në muajin maj Partia Demokratike dhe deputeti Salijanji paraqitën para mediave si skandal përgjimin dhe dëshminë e Albert Veliu. Sipas Veliut vëllai i ministrit kryente aktivitet kriminal në qytetin e Vlorë dhe prova ishte përgjimi i Veliut me Agron Xhafaj. Hetimet e prokurorisë dhe ekspertiza e materialit kanë nxjerrë një tjetër variant të historisë duke e kthyer Albert Veliun dhe PD nga akuzues në të akuzuar.