Edhe më e qartë është bërë panorama jo normale politike në vend. Duket sikur në Shqipëri nuk ka dy palë, por ka vetëm një palë që qeveris vendin dhe një grupim tjetër pa ide, pa platformë qeverisëse, pa identitet, pa kauzë, pa të ardhme e pa as një lloj vertebre nga ai që quhet bosht. Pluralizmi aktual është pluralizëm i fjalës e jo ai politik.
Vendi ynë anon shumë nga “diktatura pa dashje”. Europa, ajo “plaka me atë hundën e madhe e nuhatëse dhe fshesën në dorë”, vendet si puna jonë as në oborrin e saj nuk i qas. Presidenti Thaçi në një shkrim lidhur me njohjen e Kosovës të sotme nga Serbia thotë: “a mendoni se do ta bindin Serbinë ta njohë Kosovën aleatët tanë të fuqishëm SHBA, Gjermania, Franca, Italia e shumë të tjerë? Jo!”
Nëse Europa e Bashkuar nuk mund ta bindë Serbinë për këtë realitet shekullor, në se gjendja jonë është e dyshimtë si realitet europian, atëhere këtu jemi përpara një dileme, e cila mund të jetë jetike për të ardhmen tonë e me një disfavor fatal ekonomiko-kulturor. Përse i duhen trupit të kësaj Europe vende si puna jonë? A do të jetë kjo një Europë e Bashkuar pa kufij shtetesh, pa diferenca në barazi, drejtësi e liri? “Pune e madhe” po qe se nuk i mbushet mendja Serbisë! Ajo me sa duket nuk e dëshiron Europën e Bashkuar, ajo nuk dëshiron të futet në këtë Europë. Pikë!
Nëse lidhja e këtij shteti me Rusinë nëpërmjet paktesh ekonomike e ushtarake krijon shqetësime etnike e kufijsh, këjo nuk bëhet për “faj” të saj, por për dobësi të Bashkimit Europian për fat të keq përballë Rusisë. E nëse përballë kësaj “dobësie”, populli serb kërkon konflikte e “mbretërira” demokratike sot, në se ky popull në vend të demokracisë perëndimore aspiron autarkinë diktatoriale, këtë nuk ka forcë e fuqi ta ndalojë. Në mos sot, nesër ajo do të ndodhi me siguri. Parimisht, të paktën kështu duhet të jetë.
Kur dëgjon se kjo Europë toleron thënie si ato të Kryeministrit Vuçiç, se Millosheviç na paska qenë “një lider i madh serb, tek i cili sundonin qëllimet e mira”, apo pretendimin idjot të diplomacisë zyrtare greke mbi ekzistencën e “çështjes të minoritetit grek në Shqipëri”, duket qartë se Europa që ëndërrojmë nuk paska lidhje me Europën e Brukselit.
A është real Bashkim Europian që na “ofrohet” sot, i cili me sa duket nuk ka e nuk do të ketë forcë të zhdukë kufijtë midis shteteve, apo bashkimi është i pamundur deri në fund? Për fat të keq e ndofta edhe për një rastësi fatale, ky dyshim koinçidon me një thënie të themeluesit të ish Bashkimit Sovjetik, Leninit, i cili qysh në vitin 1915, tridhjetë e ca vite më parë se të formulohej platforma BE-së të sotme thotë se: “Nga pikëpamja e kushteve ekonomike Shtetet e Bashkuara të Europës në kushtet e kapitalizmit ose janë të pamundshme ose janë reaksionare”.
Çfarë të thuash?! A nuk të lind e drejta të mendosh, duke bërë qoftë edhe formalisht paralelen fatkeqe me këtë thënie, se aktualisht futja jonë në Bashkimin Europian është ose e pamundur, ose mund të jetë edhe “skllavëruese”? Mos ndoshta është e nevojshme që të “mbledhim mirë rrypat e kokës” sot, kur ende nuk është vonë, për të arritur ta shuajmë në kohë këtë dalldi utopike europiane, duke ndezur paralelisht zjarrin e shqiptarisë të mirë e reale, të fillimit të ndërtimit të një kahu pozitiv e progresiv, të qëndrueshëm e plotësisht të përshtatshëm?
Një vend që plaket duke ndenjur nëpër mejhane, një vend që pakëson nxënësit e shkollave me mbi 10 përqind çdo vit, një vend që vjedh spitale e shkolla në vend ti shtojë ato, një vend që nuk ndërton rrugët e fshatrave por trotuaret e ministrive, një vend që nuk prodhon por hallavitet rrugëve e hijeve të lulishteve, një vend që nuk ngop me bukë 30 përqind të popullsisë, një vend ku krimi e gjakmarrja nuk lenë të shkojë në shkollë edhe fëmijën 6 vjeçe…, nuk është një vend normal, vend ku mund të besosh se aty mund të investohet. Të mos gënjejmë më tej veten!
As Europa nuk na do e nuk na pranon si të barabartë brenda gjirit të saj të ftohtë, e as neve tani për tani nuk ka se për se të na duhet një Europë e tillë ku me siguri na humbet jo vetëm identiteti ynë kombëtar, gjuha, kultura e historia jonë, por edhe ajo që i mban këto të lidhura bashkë, dashuria për vendin e për familjen tonë.
A ka kuptim të vazhdojmë e zvarritemi pas kësaj Europe? Përse do të na dojë neve kjo Europë, nëse edhe ajo vetë dyshon në mbijetesë përballë “exiteve” të djathta të konservatorizmit të sajë? “Mbillni fiq e dardhë në vend të plepave” tallte prapanicën e vet Hrushovi i ish Bashkimit Sovjetik me Enver Hoxhën e Mehmet Shehun gjatë vizitës të tij në vendin tonë gjatë qershorit të vitit të largët 1959. Ndërkohë që kur pa gjiun e Butrintit ju ndez “llamba” e shovinizmit, ajo ëndrra e famshme e tij dhe e shtetit që ai drejtonte dhe që nga ai gji i strategjik “recitonte” me zë të lartë se “Greqia do të bëhet e jona. Me këtë bazë më të përkryer në Mesdhe mund të paralizojmë e të sulmojmë gjithçka”. Është pozita e vendit tonë, toka, deti e ajri i saj, me ato katër stinët e vitit secila më e bukur se tjetra që preferon prej nesh Europa “mendjemadhe”.
Shqiptarët aty nuk “vlejnë”, ata e kanë shkatërruar ambientin e tyre në mënyrë kriminale e të pakthyeshme, sot bëjnë sikur mbrojnë lumin e Valbonës e deri dje kanë kthyer lumenj të tërë nga rezervë begatie në fatkeqësi ambientale, i kanë prerë e përvëluar pyjet e shenjtë e i kane kthyer në plasdarma të qelbura kalbësirash, e kanë kthyer tokën bujqësore në një shesh gurësh e tullash, ku gjithçka kutërbon erë fekalesh e jo aromë bari e bimësh, e kanë kthyer krejt terrenin e tyre pothuajse në një rrafsh të egër.
Këtë vend që ka tokën më të pasur në rruzull, me një diell që derdh flori mbi të 260 ditë në vit, ku ujrat e kristalta shushurijnë krejt tabanin ku jetojnë e punojnë njerëz, ku deti reflekton aq pastër e kthjellët malet që varen sipër tij … këtë vend të bekuar “nuk ka pse të lihet në dorë të shqiptarëve”. Ky vend që quhet Shqipëri mund të integrohet në Europë, por jo tani. Do të integrohet vetëm atëherë kur ajo të drejtohet e të gatuhet krejtësisht siç duan gjermanët apo francezët e jo “pleqtë” shqiptarë, të cilët edhe mund të punojnë e të hanë një copë bukë nëpër zgëqet e metropoleve të tyre.
Shpresoj ta kem shprehur qëllimin e këtij shkrimi. “Mos trokit në atë derë ku nuk të duan”! Bashkëjetesa nuk mund të kërkohet, aq më tepër t’i “imponohet. Nëse rruzulli tokësor është “zvogëluar” e njerëzimi kërkon bashkim, ai nuk bëhet ashtu kot, ai bëhet vetëm aty ku ka traditë, ku ka interesa të plota reciproke, ku e reja qëndron mbi shpatullat e të vjetrës, ku e ardhmja është “paguar” me sakrifica e me dashuri njerëzore. Presidenti i SHBA-së, Uillson, 100 vite më parë i dha fund poshtërsive që kërkonin të luhej me Shqipërinë.
Ky vend na dha një nga njerëzit më të mëdhenj të historisë tonë politike e kulturore Fan Nolin, i cili arriti të realizojë në një shtet pothuajse të “egër” nga pikëpamja e civilizimit modern, një nga veprat më të mëdha edhe të vetë Europës demokratike, “revolucionin francez”. Rreth 6 mijë shqiptarë ishte emigracioni ynë në atë kohë, por kur erdhi momenti për të mbrojtur integritetin e atdheut të tyre, Amerika e madhe ju a shumëfishoi atyre forcat, ju a mundësoi hapësirat legjitime në mbështetje të vendit të tyre të leqendisur e të dërrmuar.
“Mbahu nëno mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë” dëgjohej me të fortë në atë kohë zëri i shqiptarëve mu në qendër të Nju Jorkut. Është pikërisht ajo që sot ofrojnë mbi 120 mijë shqiptarë, me qindra e mijra të tjerë që kërkojnë për çdo ditë të mbërrijnë në këtë vend, që tashmë është kthyer në të vetmin “oaz” ku mund të qetësohemi përballë “shkretëtirës” europiane. A ka më domethënëse se ajo që bëri ky vend, i cili vetëm 10 vite më parë shpëtoi afro 1 milion shqiptarë të Kosovës heroike së bashku me shtetin e tyre te ri nga asimilimi i plotë? Në se nuk e kemi të mundur të shkojmë ashtu siç e manifestojmë në “Llotarinë Amerikane”, a nuk do të ishte e mundur që të bëjmë inversin, ta bëjmë atë që të “vijë” këtu? A nuk duket sikur ajo thirrja “mbahu nëno…” e kohës të Fan Nolit, dëgjohet sot më tepër, më mirë e më qartë se kurë?
Me borxhin shtetëror që po shkon në 8 miliardë euro nga 11 miliardë që është Produkti i Përgjithshëm Kombëtar dhe nën ekonominë tonë që vetëm shërben e konsumon, praktikisht vendi është “i shitur”. I ka mbetur vetëm një akt i pavarur. Të dorëzohet sa më shpejt te “noteri politik”! Por te ai “noter” që të njeh e ka luftuar për ty, që efektivisht të mbron edhe ushtarakisht tokën, qiellin dhe detin, te ai që nuk ka kompleks në miqësinë ndërmjet popujve, te ai që përditë tregon se ka dëshirë të ripërtërihesh, që të mund të kapërcesh menjëherë tranzicionin mashtrues që na taksën politikanët tanë të paskrupullt, te një “noter” pra që nuk të shet por të udhëheq.
A nuk duket se të drejtën e këtij “noteri politik”, këtij ndërmjetësi për ne, të kësaj miqësie reciproke e krejt dinjitoze e ka marrë me kohë SHBA-ja? Edhe sot këta “rrënbythjet”, këta politikanët tanë kur ahfryjnë si tullumbace nga paaftësia, aty i kanë sytë. Andej nga departamenti amerikan, andej i drejtojnë “hundët. Kur njëkohësisht edhe ne qytetarët andej e presim drejtësinë, andej e presim luftën kundër korrupsionit, andej e kemi shpresën të shpëtojmë nga biznesi i korruptuar e banditesk i “vila-xhinjve” të periferisë, andej e shohim luftën kundër kriminalitetit, andej e vetëm andej kemi shpresë se ndonjëherë edhe këtu te ne do të kemi një politikë që mendon drejt e vepron po kështu. E ku tjetër, te “mbështetja te forcat e veta”?
E nëse kjo që them qëndron, kurrë ndonjëherë nuk mund ta mendojmë se na kanë shterrur forcat, sa të mos jemi në gjendje që një orë e më parë ta sikterisim me votë këtë politikën tonë të çdo krahu, krejtësisht të paaftë e grabitqare, si dhe detyrimisht të organizohemi, t’ja japim votën djemve e vajzave tona, rinisë tonë të rritur, të shkolluar e të edukuar në Amerikë, të vetmes garanci për një Shqipëri të denjë, jo vetëm për sfidat e viteve që vijnë, por të denjë për të pretenduar mandej edhe integrimin me Europën e të ardhmes, nëse ajo Europë do të arrijë të mbijetojë.
Nga Bardhyl ERMINI