Koloneli i Detit, Myslim Pashaj ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi negociatat që po zhvillohen me Greqinë për ndarjen e detit. Të mërkurën ishte presidenti Ilir Meta, ai i cili paralajmëroi se pakti mund të mbetet i bllokuar deri në ngritjen e Kushtetuese. Pashaj ka shprehur mendimin e tij dhe ka dhënë detaje nga ajo se çfarë po ndodh realisht. Sipas tij, ka shumë çështje që nuk kanë marrë zgjidhje.
“Nga analiza që i bëj informacioneve të marra nga shteti fqinj mund tu kumtoj se shteti grek nuk ka pranuar të negociojë problemet themelore të marrëveshjes. Kështu nuk është pranuar: Të negociohet metoda kriteret dhe parimet, nuk është negociuar për hapësirën e vetme Ekonomike Ekskluzive përballë ishullit Othonoi duke projektuar për pushtim rreth 250 km2, nuk ka pranuar për të negociuar për shkëmbin Barketa, i cili i takon Shqipërisë, nuk është negociuar (se nuk është pranuar” të drejtat historike për Gjirin e Sarandës. A e shihni pra se në cilën klimë janë zhvilluar mosnegociatat, prej të cilave vijnë diktatat e palës Greke që janë shumë të dukshme? Opinioni shqiptar kërkon urgjentisht transparencë se ç’është bërë”, tha profesor Pashaj për gazetën “Sot”.
Në media është folur se një ndër ngërçet është se një prej negociatorëve, Ksenofon Krisafi nuk e firmos draftin. Por sipas Pashajt, ky është një eksplozion brenda grupit të negociatorëve. “Hartimi i një draft-marrëveshjeje, e cila i është dërguar palës tjetër është një nga shqetësimet më të mëdha që e ka shoqëria civile, i gjithë opinioni për një problem me kaq ndjeshmëri të lartë. Mosfirma e Krisafit është një eksplozion brenda Grupit Negociator. Ky veprim nuk duhet trajtuar si i dërguar i Presidentit, por si anëtar i Grupit. Është njeriu që ka drejtuar negociatat me Italinë. Pavarësisht se ai për etikë dhe rregullsi ruajtje të informacioneve brenda grupit, duket se ka probleme shume të renda, të cilat Paktin 2 e rëndojnë dhe më shumë”, tha Kolonel Pashaj.
Koloneli u pyet edhe sa i takon deklaratës së Presidentit Ilir Meta. Presidenti u shpreh se pakti duhet të miratohet nga Parlamentit vetëm kur të jetë gati Gjykata Kushtetuese. Sipas Pashajit, duhet që të ketë një proces të gjatë konsultimi për paktin, në mënyrë që të mos përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2009.
“Lidhur me kumtin që ka dhënë Presidenti kam mendimin se së pari duket të bëhen dëgjesa publike siç u bënë edhe për marrëveshjen e parë. Duhen ekspozuar Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat janë si Ylli Polar për negociatat e tanishme, se ato nuk mund te kapërcehen dot lehtas. Shqetësimi dhe zgjidhja që i ka dhënë tanipërtani presidenti është e arsyetueshme dhe shumë e dobishme. Si një histori shumë e veçantë, mund të thuhet se marrëveshja e parë nuk ia arriti t’i marrë Shqipërisë 354 km2 kur nuk kishte një njohje si kjo e sotmja dhe jo tani, kur i tërë opinioni dhe Shoqëria Civile është në këmbë për të mbrojtur Integritetin Territorial të hapësirës detare të Shqipërisë në Detin Jon. Kini besim për këtë”, tha Pashaj.
Ai theksoi disa herë se duhet të bëhet sa më shumë transparencë, me qëllim që të kemi një marrëveshje të drejtë.