Deputetja socialiste e Qarkut të Fierit, Adelina Rista, foli pa rezerva për ngjarjen e ndodhur në Komisariatin e Fushë-Krujës, për të cilën djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja, ndodhet pas hekurave.
Gjatë fjalës së saj në seancë plenare, ku nuk u kursyen cilësimet për koleget e saj edhe si “shoqe”, Rista foli për një masakrim pa mëshirë të vajzës 25-vjeçare.
Sipas ligjvënëses socialiste, vajza është parë si pronë, referuar mentalitetit shqiptar, ku gruaja shihet si pronë dhe me të mund të bësh ç’të duash me forcën e dhunës.
Rista foli për një mendësi të rinjsh ku tjetri mund të dhunohet dhe t’i merret jeta për një shikim shtrembër apo dhe për një vajzë që ose duhet të jetë e imja ose e akujt.
Duke iu referuar rastit të dhunës së ndodhur ndaj vajzës në Fushë-Krujë, Rista deklaroi se meshkuj të tillë, që u mungon forca e arsyes, përdorin forcën fizike dhe dhunojnë femra.
Shoqja para meje, parafolësja foli për këtë projektligj dhe unë nuk dua të përsëris, por dua t’ju kërkoj njëzëri që ta miratojmë këtë projektligj.
Fjalën time unë do t’ia kushtoj një çështjeje jo me pak rëndësi dhe që meriton vëmendjen maksimale për zhurmën, që bëri ditë me radhë, që edhe sot e kësaj dite nuk është shuar.
Një dramë personale mes dy të rinjsh u bë subjekt për thurjen e një komedie sa të ulët aq edhe të turpshme politike. Të gjithë jemi dëshmitarë se si personazhi kryesor i kësaj komedie u bë një vajzë 25-vjeçare, që u masakrua pa mëshirë.
Kjo vajzë nuk është gjë tjetër veçse viktima e radhës që ashtu si plot gra dhe vajza të tjera, mbi të cilat janë përdorur të gjitha llojet e dhunës fizike dhe deri në marrjen e jetës, kanë mbetur viktima të dhunës në luftën e tyre për të fituar lirinë.
Secili prej nesh në sjelljen e tij dhe marrëdhëniet, që vendos me të tjerët, reflekton një kulturë të caktuar. Ne jemi në prag të mbylljes së vitit 2018, pra, në prag të mbylljes së vitit të 28, kur shqiptarët shpërthyen vargonjtë e shoqërisë totalitariste që përcaktonte normat e sjelljes dhe moralit dhe nga një shoqëri e mbyllur, ku mungonte liria, kaluam në një shoqëri të hapur, ku baza është lira.
Duke lënë mënjanë motivin kryesor, shoqërinë maskiliste shqiptare, patriarkalizimin që mbizotëron nga thellësia e shekujve, ku gruaja shihet si pronë dhe me të mund të bësh ç’të duash me forcën e dhunës.
Të vjen vërtet keq kur viktima të luftës me të shkuarën gjenden mes brezit të ri. Gjenden mes brezit të studentëve, gjenden mes atyre që do të kenë në dorë të ardhmen e këtij vendi.
Është për të ardhur keq për ta pohuar, por është e vërtetë. Është brezi i pas viteve 1990, është brezi i lindur dhe rritur në demokracinë e kuptuar përsëprapthi nga shqiptarët. Është brezi i lindur dhe rritur gjatë lëvizjes së lirë të njerëzve në kërkim të një jete të hapur, por që mjerisht vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri të mbyllur, ku mendësia provinciale mbizotëron mbi qytetarinë.
Është brezi i lindur dhe rritur kur anarkia totale e kaploi shoqërinë, ku shumë që njohin shtetin, presin të zbatohet ligji dhe të marrin çfarë u takon dhe të tjerë që s’e njohin dhe s’duan ta njohin, rrëmbejnë ç’t’u dalë përpara, paçka se nuk u takon.
Është brezi kur për këngë djepi pati krismën e armëve pas vitit të mbrapshtë 1997. Është brezi që u rrit me armën nën jastëk dhe u kujdes ta mbajë pastër të mos ndryshket pas çdo shkrepjeje.
Është brezi që u rrit me lajmet e kronikës në radhë të parë, të rrëmbimit të jetës së tjetrit për një fjalë goje, për një rrip toke, për një vijë uji. Për çdo gjë dhe për hiçgjë.
Për një shikim shtrembër dhe pse jo për një vajzë që ose duhet të jetë e imja ose e akujt. Kjo vajzë si çdokush i lindur dhe rritur në Shqipëri, me çfarëdo statusi qoftë ajo, konsiderohet pronë me pronarë meshkujt.
Meshkuj të tillë, që u mungon forca e arsyes, prandaj përdorin forcën fizike, forcën e trashëguar në shekuj dhe përdorin, për fat të keq, dhunën ndaj femrës.