Ngjarjet kriminale në Shqipëri rriten kur ka zgjedhje dhe fushata zgjedhore”. Kjo deklaratë e fortë dhe alarmuese është bërë nga dy drejtorë të lartë të Policisë së Shtetit, me një karrierë 28-vjeçare.
Të ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Shala dhe Minxhozi bënë një rezyme të situatës kriminale në vend. Sipas të dhënave dhe studimeve të kryera, krimet më të shumta deri në varsje ndodhin përgjatë fushatave elektorale dhe zgjedhjeve.
“Angazhimi i policisë për sigurinë në zgjedhje, mitingjet dhe të gjithë procesin zgjedhor bën që të tërhiqet vëmendja nga puna e përhershme dhe kjo sjell aktivizimin e e elementëve të inkriminuar. Kjo është arsyeja përse në këto periudha vjedhjet, grabitjet dhe shumë vepra të tjera penale shtohen”, tha Xhavit Shala.
Por të dy drejtorët, si Shala dhe Minxhozi, theksuan se situata për rendin dhe sigurinë që po kalon Shqipëria aktualisht është shumë herë më e mirë se çdo situatë tjetër në këto 28 vjet.
“Unë kam 28 vjet në policinë e shtetit pa asnjë ndërpreje dhe e them me bindje se aktualisht Shqipëria ka rend dhe siguri që nuk e ka patur asnjëherë në këto 28 vjet”, tha Lutfi Minxhozi, një oficer i spikatur në karrierën e tij me shumë detyra të rëndësishme.
Shifra më e fortë për dy drejtorët është ajo e 37 vrasjeve të shënuar përgjatë vitit 2018 (Mbrëmë ndodhi vrasja e 37-të). “Kjo është shifra më e ulët që ka Shqipëria në këto 28 vjet”, tha Shala.
Por sipas tij ajo që duhet të punojë më shumë policia është të ndryshojë perceptimin e një pjese të njerëzve sipas të cilëve siguria dhe rendi kanë rënë. Në fakt sipas tij është e kundërta.
“Ne kemi bërë kërkime shkencore të sakta për këtë problem dhe ka një mospërputhje të situatëns dhe perceptimin të një pjese të njeërzve për të cilat janë disa faktorë si media, media sociale dhe politika”, shtoi Shala.
Ndërkohë sipas të dhënave, problemi më i madh i krimeve në vend është vetëvrasja që në dy vitet e fundit është rritur. Kështu në vitin 2017 në Shqipëri kanë ndodhur 197 vetëvrasje dhe tentative për vetvrasje 267. Ndërkohë nga 1 janari deri më sot kanë ndodhur 159 vetëvrasje dhe 161 tentativa për vetëvrasje.