Nga Mero Baze
Dje ishin të dhimbshme fotot e një fëmije, që ishte goditur nga dhuna e një proteste në fshatin Mengel në Elbasan. Deputeti i opozitës, Luçiano Boçi, i kishte prirë një grupi prindërish e fëmijësh, duke i indoktrinuar ata me një gënjeshtër, lidhur me fatin e shkollës së fshatit. Thjesht u kanë bërë thirrje të ngrihen në protestë se po u shesin shkollën.
Shkolla e fshatit Mengel, e amortizuar dhe e pasigurtë për fëmijët, me vendim unanim të Këshillit Bashkiak, (d.m.th ka votuar PS e PD), ka kaluar për rikonstruksion të shpejtë dhe fëmijët janë transferuar përkohësisht në Elbasan, duke ua paguar transportin.
Natyrisht është një telash më shumë për prindërit, por një siguri më e madhe për jetën e fëmijëve të tyre në vijim.
Deputeti i PD, nga nevoja për të prodhuar dhe ai një kauzë, ka mobilizuar prindërit në “luftë”, se shkolla do shitet, dhe ka nxjerrë në rrugë prindër e fëmijë, duke krijuar atë skenë të dhimbshme dhune, mes tyre dhe policëve.
Pas kësaj plasi një histeri e shëmtuar, ku shikoje dhe nga ata që akoma s’kanë lexuar një libër, të vajtonin për fëmijët e Mengelit, që po mbeteshin pa shkollë nga qeveria, dhe të tjerë që vënë kujen, se qeveria po mbyll shkolla me policë, si dikur Serbia në Kosovë.
Natyrisht që lotët e fëmijës prekin çdokënd, përveç atyre të pashpirtëve që i duan ato lot që të dalin në televizor, t’i monitorojë Kunati, t’ia tregojë Lulit dhe të marrin pikë si kandidatë.
Tani që situata është e qartë për publikun, tani që e dimë që qeveria nuk po mbyll shkollën me policë, por po rregullon shkollën për kushte më të sigurta për fëmijët, tani dhe deputeti i PD që udhëhoqi turmat, ka ndryshuar mendim dhe ka vendosur të bëhet supervizor punimesh, ndërsa të gjithë ata që derdhën dje lotë “krokodili” duke postuar foton e fëmijës vërtet të dhunuar, po bëjnë sikur nuk e kanë mendjen tek kauza që dje ishte “qëllimi” i jetës së tyre.
Është e njëjta histeri që pasoi vendimin, ndoshta më të drejtë në histori të kësaj qeverie për zhdukjen e klasave kolektive në fshatra dhe transferimin e nxënësve në shkolla në qendra më të mëdha, jo vetëm për t’u arsimuar më mirë, por dhe për të pasur fëmijërinë e tyre normale, me shokët e vet të klasës.
Dhe ajo u paraqit si fushatë mesjetare për mbyllje shkollash.
I vetmi rast kur këta vajtues me pagesë, do të kishin të drejtë, do të ishte nëse shkolla lihej në atë gjendje dhe me siguri për disa muaj do të zinte fëmijët brenda, siç besoj se ka plot shkolla të tilla në Shqipëri.
Atëhere nuk do na dhimbsej loti në faqen e djalit të vogël që ngelën duke e postuar dje, por lotët në faqet tona, për djalin që mund të mos ishte më. Pasi me sa duket, shpikësit e këtyre kauzave janë aq mizorë, sa duan t’i hapin rrugë me histeritë e tyre, të keqes më të madhe.
Ah po, harrova. Edhe këtu kishte gisht Taulant Balla!