Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, pas kallëzimit të dorëzuar në prokurori ndaj kryeministrit, ka treguar 3 veprat penale që sipas tij ka bërë Rama.
Duke folur për gazetarët Spaho tha se kreu i qeverisë ka kërcënuar hapur nënkomisarin Emiljano Nuhu, pas denoncimit të këtij të fundit për rastin e Xhisiela Malokut.
Sipas Spahos, Rama me këto akuza mund të dënohet me 3 vite burg.
“U kërcënua dhe kanos madje me vdekje nëse do vazhdonte hetimet duke nxjerrë para përgjegjësisë djalin e deputetit. Kanosjet erdhën nga familja e deputetit socialist.
Kreu i grupit parlamentar Balla, kryetari i bashkisë Krujës dhe deputeti kishin kërcënuar nënkomisarin që të tërhiqej.
Ky bëri dhe një denoncim në prokurori për këtë denoncim. Kishte dy hetime nga prokuroria, dhe kreu i qeverisë në një deklaratë live kërcënoi komisarin Nuhu duke i thënë horr i kthyer në hero.
Ai ka ndërhyrë në punën e prokurorëve. Me deklaratën e tij kryeministri paracaktoi rezultatin e hetimit.
Bëri të poshtërohej nënkomisari Nuhu. Ai e kërcënoi në një farë mënyrë që të mos vazhdojë me nxjerrjen e fakteve të tjera.
Rama ka kryer tre vepra penale, kanosje për shkak të detyrës, ka ndërmarrë veprime për fshehjen e të vërtetës, dhe kanosje për të mos treguar. Akuza për të cilat mund të marrë 3-4 vite burg.
U bëmë zëdhënës të qytetarëve ndaj lidhjeve të tij me krimin. Shpresojmë që prokuroria ta marrë seriozisht këtë çështje,” tha Spaho.