Opozita shqiptare duket se është pa strategji. Momentalisht deputetët e saj kanë nisur bojkotin e Parlamenti, por nuk po bëhet asnjë gjë nga ato që është paralajmëruar. Sot Parlamenti mblidhet në seancë plenare dhe janë një sërë vendimesh të rëndësishme që do të diskutohen. Por teksa pritej opozita të vijonte me Parlamentin paralel në qarqe, nuk do të ndodh aspak kështu. Kjo lëvizje duket se ka dështuar dhe Basha është tërhequr. Ka qenë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ajo e cila e paralajmëroi një gjë të tillë, por nuk dha asnjë detaj se ç’do të ndodhë tani. “Mbaroi pozicionin e saj, do të ketë tani aktivitete të tjera, ku të gjitha partitë e tjera të opozitës, të mos harrojmë që opozita sot është një mazhorancë numerike, pra nuk është më thjesht një opozitë. Por në realitet dhe në të vërtetë është mazhorancë. Edi Rama është në minorancë sepse jo vetëm që është vetëm, por është në një minorancë e cila është fiktive.
Përplasjet në opozitë
Kreu i PD, Lulzim Basha duket se nuk ndan të njëjtin mendim me Monika Kryemadhin dhe Sali Berishën për të shkuar te dhuna dhe mosbindja civile. Vetë pak ditë më parë Basha tha se do e rrëzojë qeverinë vetëm në mënyrë demokratike. Por kjo ka bërë që të ketë dhe përplasje me dyshen Kryemadhi-Berisha. Që në muajin gusht, Berisha, Kryemadhi dhe deputetë pranë tyre deklaruan hapur se duhet të shkohet te revolta dhe të rrëzohet qeveria. Disa eksponentë u shprehën hapur se nëse hapej rruga për shembjen e Teatrit Kombëtar, do sulmohej qeveria. Parlamenti e miratoi dekretin dhe ju hap rruga shembjes së teatrit. Jo që nuk pati protesta, por opozita nuk mori pjesë në Parlament, edhe pse e cilësonte si kauzë kryesore mbrojtjen e teatrit. Më pas u deklarua disa herë se do ketë protesta dhe deri më tani nuk ka asnjë gjë. Basha e Kryemadhi deklarojnë se do dalin në protestë, por nuk ka asnjë plan tani afër. Nga kontaktet në degë, gazeta ka mësuar se nuk janë udhëzuar akoma për protesta. Madje sipas informacioneve, Basha ua ka bërë të qartë krerëve të degëve se duhet të punojnë sa më shumë për zgjedhjet që po vijnë, duke anashkaluar protestat.