Kuvendi i Kosovës sot në orën 12:00 mbajti seancën solemne, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë. Në Kuvendin e Kosovës kanë mbërritur personalitete të njohura nga politika e vendit, rajonit dhe botës.
Të pranishëm ishin dhe politikanët shqiptarë, kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Berisha, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, dhe jo vetëm.
Sakaq, në Kuvend ishin edhe Bernard Kuchner, William Woker, Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Pandeli Majko, Eliot Engel etj.
Pjesëmarrja e Berishës pritej të ngjallte reagime pasi nuk kanë qenë të pakt ata të cilët e kanë akuzuar si bashkëpunëtor të Serbisë në kohën e luftës me Kosovën.
Akuza më e fortë ka ardhur nga Qerim Kelmendi, i cili është një ndër themeluesit e LPK-së që më pas njihej gjerësisht si UÇK-ja. Ai rrëfen detaje të atyre kohëve duke vënë theksin sidomos tek roli i ish-Presidentit Berisha për të shkatërruar dhe goditur strukturat e rezistencës në Kosovë, duke e akuzuar madje Berishën edhe për një takim që sipas Kelmendit ai ka zhvilluar me Zhelko Raznatoviç Arkanin në Shkodër në vitin 1992. Më tej Kelmendi hidhet në ngjarjet mes viteve 1997-1999 ku ndër të tjera sqaron edhe rolin e Berishës dhe Bukoshit gjatë luftës së Kosovës, ndërsa vrasjen e Azem Hajdarit ai e konsideron si një lojë të stisur nga qeveria serbe dhe Berisha për të krijuar luftë civile në Shqipëri, si e vetmja mënyrë për të eleminuar aktivitetin e UÇK-së brenda Kosovës.