Shpesh janë situatat më të vështira në jetë që nxjerrin në pah anën më të fortë tonën. Jeta e kësaj vajze 6-vjeçare në Kinë ka ndryshuar pas një aksidenti të tmerrshëm dy vite më parë, ku babai i saj mbeti i paralizuar dhe nëna e saj e braktisi.
E përballur me situatën e vështirë, vajza e vogël filloi të kujdesej për babanë e saj të shtruar në shtrat në shtëpinë e tyre në Provincën Ningxia, pavarësisht faktit se ajo ishte vetëm një fëmijë i vogël.
Sipas mediave kineze, Jia Jia ngrihet në orën 6 të mëngjesit çdo ditë për të masazhuar muskujt e babait të saj për gjysmë ore. Ajo gjithashtu i lan atij dhëmbët dhe fytyrën para se të shkojë në shkollë.
Pasi kthehet në shtëpi, Jia Jia ushqen babain dhe e ndihmon atë të lëvizë duke përdorur një mekanizëm lëvizës të bërë vetë me kushte shtëpie. Kur ajo është në shkollë, gjyshërit e saj fermerë kujdesen për babain e paralizuar, z.Tian.
“Duke u kujdesur për babin tim nuk ndihem e lodhur fare”, tha vajza. Vajza u braktis nga mamaja 2 muaj pas aksidentit. Ajo mori edhe djalin e madh me vete duke e lënë bashkëshortin e paralizuar dhe vajzën e vogël vetëm.
“Ajo më tha që do të qëndronte në shtëpinë e mamasë së saj për disa ditë. Por nuk u kthye kurrë. Ajo mori djalin tonë me vete”, tha zoti Tian i cili shtoi se ata ende nuk janë divorcuar. Jia Jia është bërë shtylla e familjes së saj që nga mosha 4-vjeçare. Z. Tian është mirënjohës ndaj vajzës së tij për atë që bën, dhe thotë për të: ‘Ajo është duart e mia’.
Ai tha se detyra më e vështirë për vajzën e tij është ta lëvizë atë rreth shtëpisë dhe ta ndihmojë të shtrihet në shtrat sepse ai është shumë më i rëndë se ajo. Gjyshi i 6-vjeçares ka krijuar një mekanizëm lëvizës dhe Jia Jia duhet ta përdorë çdo herë forcën e saj për të ndihmuar babanë të lëvizë nga shtrati në karrocë.
Kur u pyet nëse i mungonte mamaja, Jia Jia u përgjigj: “Jo, sepse ajo nuk kujdesej për babin. Por më mungon vëllai im”.