Gratë që kryejnë ciklin e tretë të studimeve (doktoraturë) në Shqipëri janë në shifrat më të larta në Ballkan, duke u bërë kështu një ndër vendet që ka gra ‘shkencare’ më të larta se në rajon. Por, teksa Shqipëria ka numrin më të lartë të doktorantëve në vitin 2014, përkatësisht 84 të tilla., në vitet në vijim, numri i tyre erdhi duke rënë. Vitin e shkuar ishin 71 të tilla, me rënie në 3 vitet e fundit, sipas të dhënave të Statistikës së Unesco-s, në publikimin e botuar disa ditë më parë. Ndërsa në rajon, përkatësisht në Maqedoni dhe Serbi, numri i tyre ishte 45 vitin e shkuar dhe 38 në Bosnje e Hercegovinë.
Megjithatë, përtej këtij niveli, ndryshon situata- burrat përbëjnë 54% të të diplomuarve nga programet e doktoratës dhe 71% e të gjithë kërkuesve, globalisht.
Gratë kanë më shumë gjasa se meshkujt të diplomohen nga katër fusha të doktoraturës: Arsimi; Arte Humane; Shkencat Sociale, Biznes dhe Ligj; dhe Shëndeti dhe Mirëqenia. Për shembull, në programet e Edukimit, gratë përbëjnë më shumë se dy të tretat e të diplomuarve në 88 nga 113 vende me të dhëna në dispozicion në 2017.
Për krahasim, burrat përfaqësojnë shumicën e të diplomuarve të ciklit të tretë në tri fusha të gjera: Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit; Inxhinieri, Prodhim dhe Ndërtim; dhe Bujqësisë. Midis këtyre programeve, një ç’ekuilibër i rëndësishëm gjinor mund të shihet në Inxhinieri, Prodhim dhe ndërtim. Burrat përbëjnë më shumë se tre të pestat e të diplomuarve të ciklit të tretë nga ky program në 92 nga 103 vende me të dhëna në dispozicion në 2017.
Të dhënat e raportit të Unesco-s sugjerojnë se ka nevojë për një sërë politikash sociale, nga programet shkollore që të inkurajojnë vajzat të ndjekin studimet e tyre në shkencë dhe matematik, nga ana tjetër edhe marrëveshje profesionale që u mundësojnë grave të menaxhojnë përgjegjësitë e kujdesit familjar dhe të kapërcejnë paragjykimet që ngjiten në shumë vende pune./Monitor