Petrit Ruka
I dashur Landi, nuk kam pasur këtë javë pikë fuqie të të them dy fjalë e ti me siguri më je mërzitur shumë, i miri im i shtrenjtë.
Jam zgjuar çdo mëngjes, si të kisha fjetur nën dhė, siç tha vëllai ynë më i madh Pëllumb Kulla, ditën e parë që u gdhi dhe ne pimë kafen e parë pa ty.
Prita me ankth tërë mëngjesin të binte telefoni yt si çdo ditë (tre a katër herë deri në mbrëmje) dhe të dëgjoja zërin tënd të bukur plot dritë, atë zë që për mua ishte dhe është zëri më i bukur shqip që kam dëgjuar kësaj jete.
Prita si gjithmonë të më pyesje plot merak për shëndetin tim të rrënuar, ti “i shëndoshi”, që nuk ankoheshe nga asgjë e sëmundja e parë në jetë të mori pabesisht, duke na ngulur një thikë drejt e në zemër.
Nuk ka fund kjo dhembje e re, që më duket kaq e dashur e ndër më “luksozet” që kam provuar në këtë botë. Më bërë më të pasur me gjithçka: me këtë mall që po më përvëlon dita ditës, me lotët që i paskam akoma në trupin e lodhur, me vezullime kujtimesh që feksin orë e çast para fytyrës tënde të qeshur e aq engjëllore, me pendimin e pashërueshëm; se përse nuk të desha e të dhashë ca më shumë dashuri prej vëllai më të madh, me…
Uhhh, ku thuhen dot me fjalë të gjitha ato që ndjen zemra ime, shoku im i mrekullueshëm!
Por le t’i lemë fjalët e mëdha, se as ato nuk pinë ujë në kësi rastesh. Thjesht desha të të njoftoja shkurt, se lajmin ma dha i mbytur në lot yt bir, Redi, e qielli u shemb mbi mua.
Si ta besoja që kishe ikur, kishim veç një orë që të kisha marrë ne telefon për atë dreq stomaku gënjeshtar, që të dhembte aq shumë e që paska qenë një hile e zemrës tënde, e cila nuk doli hapur e ballazi të të thoshte se ajo e kish fajin.
Pjesa tjetër e asaj nate është lot e turbullirë mendjeje.
Të nesërmen, në homazhet e tua, tek holli i RTSH, kishte kaq shumë njerëz, sa ta pata zili, edhe pse kurrë nuk kam dyshuar se ti u ngjisje njerëzve “sëmundjen” e dashurisë, që po rrallohet në këtë botë.
Por nuk kish si të mos ndodhtë ironia më e madhe në botë, nga ato që kurrë nuk u ndahen njerëzve të mrekullueshëm si ty e Shqipërisë.
Mikrofoni i nxjerrë nga RTSH para njerëzve për fjalimin e lamtumirës nuk punoi. Nuk punoi mikrofoni për njeriun që ishte Mikrofoni i Artë i këtij vendi, se kishte një defekt teknik dhe nuk gjetën dot një tjetër aty ku ka nja njëmijë të tillë.
Foli shoku yt i një jete, zëri tjetër i mrekullueshëm Xhelil Aliu dhe duhet të ketë thënë fjalë shumë të dhembshura shpirti, po unë nuk arrita të dëgjoja dot asnjë tyre. Nga paria e Televizionit nuk foli asnjeri, si të mos ishe punonjës i tyre, po më mirë.
Druaj e kam frikë se nga mosnjohja nuk do të thoshin dot asgjë për ty. Se mos dinin gjë nga tërë ato pjesë të famshme, që kishe vënë si një regjisor i shkëlqyer në Estradën e Fierit, atëherë kur ti dhe Pëllumb Kulla e bëtë atë isntitucion periferik Akademinë e humorit shqiptar.
Asnjë titull për be nuk dinë nga ato pjesë të arta që vijojnë sot e kësaj dite ti dojë e përdor si shprehje bisedimore një popull i tërë. As nga rolet e tu të mrekullueshëm në teatër, kur luaje një natë ti dhe një natë Fatos Sela rolin e shkëlqyer të Avni Rustemit tek drama “Dy krismat në Paris”, një dramë simbol i majave të teatrit shqiptar.
E pra, vëlla im, nuk punoi për ty mikrofoni, edhe pse ti ishe Princi i Madh i mikrofonit shqiptar dhe përmes tij ke lënë mbi 15.000 orë gjuhë shqipe, që mjafton për të mbushur gjithë qiejt e Shqipërisë me bukurinë e kësaj gjuhe hyjnore.
15.000 orë gjuhë shqipe, nga ajo shqipja me zërin tënd magjik, me një ëmbëlsi dhe qartësi të “frikshme” në drejtshqiptim si askush tjetër më parë.
Tërë fjalët shqip të shqiptuara secila mijëra herë si një model i përkryer, aq sa me të, mund ta ndërtoje sërish gjuhën shqipe nga e para edhe sikur ajo të zhdukej për një çast. Sepse ti nuk e lexoje shqipen, or mik, ti e këndoje prej zemre drejt e nga një dashuri e lindur për të qysh në bark të nënës.
E di pse mbeta pak gjatë me këtë “shakanë” e mikrofonit, Landosh? Nga që e kam zakon të “ngatërrohem” me simbole e metafora dhe dua që ti të qeshësh pak, siç bëjë gjithmonë me “incidentet tona të vogla shtetërore” që nuk na lënë dot ta bëjmë një Vend, këtë vend të bekuar që ti aq shumë e doje.
Dhe së fundi, përmetari im i qeshur, desha të të thosha se balada jonë: “Nëntë vjet e nëntë ditë” që unë e shkrova, po ti i dhe shpirt ka arritur në JouTube e FB në 28 mijë shikime dhe 334 shpërndarje dhe jo sa e le ti me 26,700 të tilla.
E di që do të gëzohesh shumë si një fëmijë, se çdo mëngjes e shikoje dhe vrapoje të më thoshe në telefon, duke shtuar, kush tha që shqiptarët nuk lexojnë e shohin art po t’u japësh krijime të mira?
Kështu ishe ti, gëzoje me gjëra të “vogla” jo me gjërat e mëdha ku plasin sukseset kombëtare në ekrane e gazeta…
Dhe së fundi, edhe një lajm tjetër i mirë, se nuk dua të të lodh, vëllai im i shtrenjtë; sot pas një emisioni homazh në TVSH për ty (veç 20 minuta dhe vetëm në këmbë, qesh pak edhe me këtë) Jeta, gruaja jote e dashur, “labushka” jote, që bëhej xheloze për miqësinë tonë të madhe, më mori në telefon dhe më tha: “Petrit, t’i kam bërë hallall tërë ato mijëra orë, që ma merrje Landin dhe rrije me të.”
E sheh pra, na ka falur të dyve!
Ja pra që ka lajme të mira dhe të këqija, siç i ka kjo dreq jete gjërat e saj.
Ah, se mos harroj; Naum Lasku më dha sot fletën me kokat e lajmeve që po pergatisje në regjinë e edicionit të lajmeve të fundit që ti drejtove. Ke arritur të nënvizosh me një rreth blu vetëm katër lajme, para se të shembeshe e të ikje përgjithmonë.
Në fund me stilolaps ke bërë tri pika të mëdha retiçence… Vdes ta di se çfarë ke dashur të thuash me to?
Tre pika?!
Mua më ngjajnë me tri pika loti, po të kujt?
Të miat apo të tuat janë vallë, Landi ynë?!
P.S
Të lutem mos m’u zemëro, qe i rashe kaq shkurt, do të të shkruaj prapë!