Qeveria dhe ndërkombëtarët kanë gati të gjithë infrastrukturën për ngritjen e SPAK. Pak ditë më parë gazeta publikoi pjesë të një raporti të Ministrisë së Drejtësisë për ngritjen e organeve antikorrupsion, ndërkohë që sot po jep detaje nga rruga që do të ndiqet për arrestimin e pushtetarëve. Sipas raportit të siguruar nga gazeta, një rëndësi shumë e madhe do i kushtohet procesit të përgjimit. Nëse shohim shembullin e ndjekur në Kroaci e Rumani, procesi i përgjimit ka pasur shumë rëndësi. Në këtë mënyrë SPAK dhe prokuroritë e rretheve do bashkëpunojnë për të zbuluar aferat e të korruptuarve.
Sipas raportit, momentalisht Prokuroria e Përgjithshme ka blerë një pajisje përgjimi plot 500 milionë lekë të vjetra. Pagesa e saj ka përfunduar këtë vit, pasi shlyerja e detyrimeve është bërë me këste. Momentalisht ajo është vënë në funksion. Por raporti specifikon se kjo pajisje kur të ngrihet SPAK do jetë në administrim të kësaj të fundit, pasi aty do jetë bërthama e përgjimeve. Por përveç kësaj, bëhet e ditur se do të shpenzohen rreth 1 milionë euro për pajisje të tjera mbështetëse, çimka dhe gjithçka tjetër që do të ketë nevojë ekipi i përgjimit. Në bashkëpunim me ndërkombëtarët, Prokuroria e Përgjithshme ka piketuar dhe se kush do të jenë emrat e parë që do të garojnë në SPAK për të qenë pjesë e zyrës së përgjimit.
Vetëm brenda këtij viti janë realizuar mbi 4 kurse trajnimi për disa individë të caktuar, të cilët me shumë gjasë do marrin në dorë frenat e survejimit për politikanët shqiptarë. Përveç kësaj, ka pasur vizita në Kroaci dhe vende të tjera, ku dhe aty janë bërë trajnime vetëm mbi procesin e përgjimit. Pra, sapo SPAK të grihet, infrastruktura për të vënë në survejim pushtetarët do jetë gati. “Është lidhur kontrata e blerjes me këste të pajisjes së përgjimit. Në kushtet e blerjes parashikohet edhe mirëmbajtja për dy vitet e para të përdorimit dhe trajnimi i punonjësve. Kosto e përballuar nga buxheti në vitin 2017 është 50,000,000 lekë”, thuhet në raport.
Më tej thuhet se lidhur me ngritjen e efektivitetit të hetimeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rritja e efektivitetit dhe decentralizimit të përgjimeve, Shkolla e Magjistraturës ka organizuar 4 trajnime, ku pjesëmarrës kanë qenë oficerë të policisë gjyqësore të drejtorisë së përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Trajnimet kanë nisur që në datat 15-16 mars.
Detajet
Një vit më parë u bënë ndryshime në ligjin e përgjimeve. Në raportin e Ministrisë së Drejtësisë thuhet se ka nisur implementimi i tij. “Ndryshimet e miratuara në vitin 2017 në ligjin e përgjimeve të komunikimeve elektronike parashikojnë rregulla të detajuara për përgjimin, kohëzgjatjen, gjykatën kompetentë që miraton kërkesën për përgjim, revokimin e vendimit të përgjimit, rregullat e asgjësimit të materialeve të përgjimit, e drejta për informimin e shtetasve për përgjimin e tyre.
Për herë të parë amendamentet përmirësojnë dukshëm procedurat e përgjimit dhe garantojmë mbrojtjen më të mirë të të drejtave të shtetasve”, thuhet aty. Më tej theksohet se lidhur me funksionalitetit të sistemit të menaxhimit të çështjeve të shërbimit të prokurorisë (CAMS) dhe përshtatja e tij me ndryshimet organizative të institucionit rezulton se është bërë i mundur implementimi i modulit të përgjimeve, janë bërë përmirësime të akteve ligjore në formë elektronike, është përfunduar moduli i Prokurorisë së Përgjithshme dhe është në fazë testimi, si dhe moduli i Apeleve./Kliti TOPALLI