Nuk mund të dalin asnjëherë në peshore, sepse të dyja janë figura që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe artit shqiptar.
Njëra me zërin e saj madhështor dhe tjetra me vokalin e saj hyjnor, Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela ndër vite i kanë dhënë shikuesit shqiptar emocione të fuqishme, rrahje zemre të forta dhe këngë e performanca gati gati teatrore të cilat vështirë se mund të përsëriten.
Për njëra tjetrën, të dyja kanë thënë fjalët më të mira, lavdet që e çojnë në piedestal njëra tjetrën.
“Nexhmija është një këngëtare e madhe dhe unë kam përjetuar kënaqësinë kur e kam parë për herë të parë në skenën tonë. Ishte një grua e bukur, me një dinjitet të plotë artistik” ka thënë dikur Vaçe Zela për Nexhmije Pagarushën.
“Ajo ndiente nevojë të madhe shpirtërore të këndonte para spektatorit tonë. Atëherë, te Nexhmija pashë një emocion që e kam vërejtur herë pas here te vetja ime. Zëri i saj ishte një vokal në një lirizëm të ëmbël, kishte shumë kolorit popullor, amtar. Ajo kishte një zemër shumë të madhe dhe unë personalisht e vlerësoj këtë virtyt njerëzor” citohet Vaçe Zela kur përmend talentin e madh të Nexhmijes.
Por edhe Nexhmija – Bilbili i Këngës Shqipe, nuk është kursyer kur ka folur për mënyrën e këndimit të Vaçes, shkruan KultPlus.
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela” thotë Nexhmija kur pyetet për Vaçen.
Nuk di çtë them me fjalë se çka ka qenë ajo në shpirtin tim, në jetën time. Si këngëtare, për mua ka qenë krejt diçka tjetër” është shprehur Nexhmije Pagarusha kur ka marrë lajmin për vdekjen e Vaçe Zelës.