Fustani i kuq me pika të bardha, këmbët e zbathura, dorëzuar tokës së bereqetshme, vështrimi i tretur larg, por aspak i mendueshëm dhe një bukuri përreth që të lë pa frymë… Kushdo do ta besonte symbyllur një lumturi e dashuri të tillë për tokën e artit dhe historisë, dashurisë dhe verës së mirë… Por për Alketa Vejsiun, Firence është diçka më shumë se kaq: vendi ku janë shkrepur fotot, ajo ndjesi e ëmbël që të lë ndërsa i shfleton njëra pas tjetrës, është edhe vendi i kujtimeve të bukura, dashurisë, lindjes së fëmijëve. Është vendi ku do të jetonte me shumë dëshirë, kohë më vonë, pasi të ketë përmbushur sfidat dhe dëshirat e veta.
E pra, pas një vere të larmishme kaluar pak në Afrikën e egër e pak në Toskanën e dashurisë, here me safari e herë lozonjare mes vreshtash, Alketa Vejsiu është shfaqur sërish në ekranin e “Televizionit Klan”. Po aq në formë, energjike dhe me entuziasmin ngjitës, Alketa dhe “Dance With Me” është rikthyer këtë sezon me të tjerë personazhe të njohur. I është rikthyer edhe zyrës tek “Class by AV”, pavarësisht se siç tregon edhe në këtë interviste për “RevistaWho.Com”, ajo nuk është nga ato që e fik telefonin kur largohet nga Tirana.
Jeta mes sfidash e ka bindur se të qenit e impenjuar me kohë të plotë të mëson të shijosh edhe pushimet, edhe miqtë, por sidomos edhe familjen. E për të ndenjur pak më gjatë tek kjo e fundit, as mos e mendoni se Alketa ka ndryshuar: familja është mbi çdo prioritet a impenjim. Është gjithçka dhe më e qenësishmja në jetë. Për këtë e të tjera detaje, Alketa tregon vetë…
Nga Toskana e bukur drejt e në studiot e “Tv Klan”…Me aq sa kam parë nga rrjetet sociale kjo verë ka qenë e larmishme për ty. Vende romantike, resorte magjike. Prej nga ka ardhur Alketa në këtë sezon televiziv?
Alketa si qytetare e botës udhëton për të karikuar bateritë, për të huazuar modele, për të përsosur mendimin mbi botën dhe njerëzit në realitete të varfëra, por edhe në vende të përparuara perëndimore ku qytetërimi dhe civilizimi i njerëzve është në nivele të larta! Kthehem në Shqipëri me dëshirë gjithmonë. Pas përvojës në Afrikë ku preka ekstremin e dhimbjes dhe varfërisë them që jemi me fat që jetojmë në një vend si Shqipëria; e vogël, me probleme plot, por për mua ka qenë një urë që më ka lidhur me botën dhe patjetër me ëndrrat e mia. Por, eksperienca e udhëtimit në kontinentin e largët afrikan ka edhe magjinë brenda, sepse aventurat në botën e kafshëve të egra, në safari, e në shumë destinacione të tjera e bëjnë sot për mua këtë përvojë thellësisht mbresëlënëse. Unë kthehem pas pushimeve me dëshirën e ethshme për në Shqipëri, sepse këtu kam ndërtuar një emër që sot më shërben si kartvizitë për të hapur shumë porta interesi në media dhe biznes! Do jem gjithmonë shumë e lidhur me tokën time.
Si është zakoni yt i pushimeve? Një njeri i impenjuar si ti, me një biznes që kërkon përkushtim, një sezon televiziv të ngarkuar, etj, çfarë ndodh: pret gushtin, mbyll telefonin dhe shijon pushimet apo je nga ato që punon e pushon në të njëjtën kohë?
Telefonin s’mund ta mbyll për aq kohë sa kam zgjedhur që të jem e zgjedhur nga klientët në rastin e sipërmarrjes apo publiku në rastin e televizionit! Edhe kur pushoj kam një sy e një vesh tek lajmet që vijnë nga vajzat e stafit që për hir të së vërtetës e bëjnë shkëlqyeshëm punën e tyre dhe në mungesën time dhe janë aq etike sa për të më lënë hapësirë që të marr frymë e të vij me energji e freskët. Por, kam një sy për mesazhet dhe telefonatat që shkëmbej me Verën apo drejtuesit e “Tv Klan” për produksionet e sezonit pasardhës. Puna është intensive përgjatë vitit dhe në periudhat e pushimeve i shfrytëzojmë si tranzite nga një program në tjetrin.
Cili është ai vend që nuk do të mërziteshe kurrë së vizituari? Pse?
Firence! Është vendi i dytë në botë, pas Tiranës, ku kam kujtimet më të bukura të jetës, dashurisë, lindjes së fëmijëve… Adhuroj kulturën, historinë, artin dhe veçanërisht “jetën e fshatit” në atë vend! Vreshtat, verën, vajin e ullirit, domatet, gastronominë gjithë shije jete, qytezat mesjetare, peisazhin e natyrës qëështë unikal në botë… Oh sa shumë mund të flas për Firencen.
Pushime vetëm me familjen apo familje dhe shoqëri bashkë?
Kryesisht me familjen! Me shoqërinë thuajse fare! Me vajzat e ‘Class’ shpesh për motive pune. Partnerët e biznesit i zgjedh me kriterin që edhe vendet ku ata operojnë të jenë qytete interesante me të cilat detyrimisht do të na lidhë biznesi.
Cilët janë miqtë e ngushtë, çfarë ndan me ta?
Kam shumë pak miq të ngushtë… Sa më shumë miq të ngushtë aq më shumë rriten mundësitë që të lëndohesh. Kam shumë të njohur tek të cilët i kam lënë vend vetes që sa herë t’i trokas portën, të më hapet. Kam shumë bashkëpunëtorë, të cilët i vlerësoj dhe i respektoj. Kam kolegë të jashtëzakonshëm. Kam një fis të vogël, mbiemrin e të cilit jam munduar ta nderoj. Miq ekskluziv shumë pak! Aq sa duhet për të shkëmbyer cilësisht miqësinë! Dhe i ruaj si brilante. Miqësia është angazhim, është ushqim i përhershëm, është energji dhe kohë, është emocion; të jesh miku i afërt i dikujt apo të kesh mik të ngushtë dikë, është vërtetë një status i privilegjuar në jetë.
Çfarë preferon Alketa më shumë malin apo detin?
Të dyja!
Të kemi parë sivjet në Skoci (e veshur me xhup kur këtu ishin temperaturat 40 gradë) nga diçiturat nënkuptoje një vizitë që kishte lidhje me punën… Apo…?
Jo, isha për pushime. “Lulet e mollës” si libër dhe si film i kam dashur shumë. Gajdet, burrat me fundet skoceze, delet që sapo ishin qethur, whiskey dhe distileria më antike e botës, kështjellat, festivali artit në Edinburgh sikundër dhe Toskana më dhanë një tjetër shije të jetës së vërtetë në fshatra me traditë.
Po ky sezon i “Dance With Me” si ka nisur? Si të duken konkurrentët, përkushtimi i tyre, gara?
Më duket një kast i freskët dhe tërheqës! Shumë serioz mbi të gjitha. Asnjë rezultat artistik nuk mund të vijë, nëse në produksion nuk vlerësohet me kujdes elementi njerëzor. Kam njohur nga të gjithë llojet e artistëve këto vite…
A beson se spektakle të tilla, pra ata që respektojnë një patentë, një formulë të caktuar, kanë edhe një cikël të tillë? Vjen një moment dhe duhet marrë pak pushim?
Mendoj që Maria De Filippi prej 20 vitesh është në timonin e “Amici” duke e rinovuar me ide autoriale çdo vit. Kjo do të thotë që ka disa formate që thjesht duhen mirëmbajtur. Ato janë të destinuar të kthehen shpesh herë në forcë zakoni dhe të ndiqen. Rikthimi i 68-vjeçares Mara Venier në timonin e “Domencia In” në Rai, vërteton që kur njerëzit të duan dhe të pranojnë, ata nuk të braktisin asnjëherë. Sidomos kur rekordet e tua si artist dhe njeri janë të mira ndër vite. Memoria kolektive e publikut nuk gabon kurrë. Ajo që më lind si detyrim është që patjetër të jemi kreativ me ide të reja dhe origjinale. Por, në Shqipëri ka një mungesë të thellë për autorë dhe tekst shkrues. Duke e bërë gjithmonë vetë këtë, është e vështirë. Kërkoj gjithë kohës autorë e skenarist, njerëz me kulturë e me formim, por nuk më rezulton e thjeshtë!
A ka një spektakël (patentë) që e ke ëndërruar apo e ke parë si sfidë dhe që synon ta marrësh së shpejti?
Do të doja shumë të punoja për një kompani ndërkombëtare prodhimi!
Ka filluar “Dance With Me”, por ka trokitur edhe muaji i eventeve. Si po shkon ky sektor? A ndihet mungesa jote aty gjatë kohës që je e impenjuar me spektaklet?
Jo, nuk mendoj që mungoj. Gjej një mënyrë që të jem prezente gjithmonë. Pastaj, kam një teori: një lider i mirë prodhon lider të rinj, jo ushtarë!
Jo shumë kohë më parë publikuat një foto me çiftin Marçela & Armand Pezën dhe Amarda & Ermal Mamaqi, konkurrentë në fushën ku operoni me biznesin tuaj. A jeni vërtetë aq miq e dashamirës ndaj njëri-tjetrit apo rrofshin rrjetet sociale dhe imazhi?
Respektojmë në distancë njëri-tjetrin. Për sa më takon mua në këto shtatë vite mendoj që kam instaluar bashkë me skuadrën ‘Class’ një frymë krejt të re për sa i takon dekorit dhe organizimit të eventeve. Klientët e kanë përqafuar! Secili ka segmentin e tij të tregut. Nuk ndërhyjmë në punët e njëri-tjetrit. Marçela dhe Mandi më bënë dasmën. Ermalin e kam komshi. Ami për natyrë është sheqer. Pjesa tjetër është strategji. Secili ka të vetat. Paqe e vërtetë mes nesh!
Duket si klishe, por sidoqoftë vlen gjithmonë si pyetje kur ke përballë gra të impenjuara si ti: Familja, ku e sa je e pranishme aty? Për parantezë: të imagjinoj me orë të tëra në provat në ‘Klan’, pastaj në zyrat e ‘Class by AV’. Thënë ndryshe një ditë plot. Kur vjen koha për familjen?
Menaxhoj shumë mirë kohën dhe prioritetet. Jam gjithmonë në shtëpi atëherë kur duhet. Rregullisht çdo darkë me familjen përveç rasteve të transmetimit direkt dhe provave të dielën. Mezi pres Krishtlindjet. Janë vërtetë periudha më e bukur kur në dritat e pemës, muzikës së sezonit, zjarrit dhe gështenjave që piqen të kuptosh që Zoti të ka dhënë një tjetër vit për të gëzuar këtë moment magjik. Familja ka qenë gjithmonë gjithçka për mua. Kam bërë të pamundurën që nënës dhe babait mos t’i mungojë asgjë. Mamit dhe vëllait i bleva shtëpinë me fitimet e para në moshën 19 vjeç. Dhe Zoti më shpërbleu duke më dhënë familjen që kisha ëndërruar; dy fëmijë që janë shpërblimi më i bukur i një dashurie të madhe! Familja është gjithçka për mua!
Vitet kalojnë, fëmijët rriten, kuptojnë, gjykojnë. Si e përjetojnë fëmijët të pasurit të një mamaje të famshme?
I kam mbajtur në distancën e duhur nga profesioni im; prozhektorët, kamerat, fama duke i dhënë gjithë mbështetjen të gjejnë rrugën e tyre!
A të shoqërojnë ndonjëherë në punë?
Jo shumë! Në ndonjë finale kam bërë përjashtim si tek rasti i “Peter Pan”!
A do doje të kishin një karrierë të ngjashme me tënden? Ku i sheh prirjet e tyre?
Jo, nuk ua ushqej. Të dy si prindër kemi detyrimin e madh t’i ndihmojmë të gjejnë rrugën e tyre, të zbulojnë talentin dhe pasionet! Është shumë e rëndësishme të bëjnë në jetë diçka që e duan shumë!
Kohët e fundit të shohim gjithmonë e më shumë të dhënë pas veshjeve, modës, postimeve… ‘Instagram’-i, biznesi, apo çfarë ndikon?
Besoj që ‘Instagram’-i është një kartvizitë e mirë sot në një botë globale…Dhe unë kam ca projekte në kokë! Diku do dalë kjo histori besoj dhe shpresoj! / revistawho.com