Nga Flogert Muça
Mbrëmë praktikisht ka marrë fund edhe saga disa ditore e një të reje nga Nikla e Fushë-Krujës, e cila pasi u bë ‘faqe e parë’ në mediat e vendit, zgjodhi të dalë dhe të thotë të vërtetën e saj në dy nga studiot televizive në vend. Tani fjalën e fundit do ta thonë organet e drejtësisë. Pas një periudhe intensive ku media foli për Xhisielën, mbrëmë ajo doli dhe tha se ato ishin të vërtetat dhe se kishte dalë për të dhënë një sqarim për qytetarët, që do ishte i pari dhe i fundit.
Deri në këtë pikë nuk kishte asnjë surprizë dhe asgjë për tu komentuar, por, në momentin që Xhisiela hapi gojën për të thënë të vërtetat e saj, një tsunam nisi mbi të. Në fakt pritej që Partia Demokratike të vazhdonte ta përdorte atë politkisht, siç e ka bërë, po e bën dhe do ta bëjë. Skenari i PD-së tanimë është i qartë dhe ajo nuk ka ndërmend të tërhiqet prej tij edhe pse as nuk e nderon e as nuk i jep vota. Por PD-së ka kush ja bën llogaritë. Edhe nga ish-oficeri që mori azil politik duke përdorur Xhisielën pritej që të hidhej në sulm sepse deklartatat e saj rrëzonin të tijat.
Por ajo që ishte mbrëmë sjellja më e çuditshme, ishte e disa gazetarëve dhe juristëve në studiot televizive.
Është fakt që në ato studio dalin njerëz që flasin edhe për politikën edhe për ekonominë, shou bizin, ngrohjen globale e çdo temë që iu del përpara, ku edhe pse çfarë nuk thuhet, prap nuk është se prishin ndonjë punë të madhe, sepse nuk kanë besueshmëri. Por kur flitet për një temë si ajo e mbrëmshmja duhet mbajtur goja, sepse në atë lloj rasti fjala vret më rëndë se në çdo rast tjetër. Nuk mund të dhunosh verbalisht një vajzë që kishte dalë nga dy intervista e t’i thuash duke i ngritur zërin që “Ti po gënjen sepse nuk thua atë që them unë…”, për sa kohë ka institucione që po merren me çështjen.
Edhe më e rëndë bëhet situata kur disa gazetarë kronike nuk shkojnë në terren për të investiguar raste pafund si ai i Xhisielës, por hidhen në sulm vetëm kur në histori të tilla përzihet politika, më së paku janë të pabesushëm për opinionin publik. Ku ishin këta gazetarë në 21 korrik e deri dje?
Unë e kuptoj që mediat kishin audiencë të lartë nga historia e Malokut siç edhe portalet kanë patur shumë klikime, por kjo nuk do të thotë që për hir të audiecës apo për interesa politikë ne të ‘përdhunojmë’ në studio televizive një vajzë që prej ditësh e sheh vetën në çdo kryelajm dhe kur tenton të dalë të thotë të vërtetën e saj, masakrohet publikisht./Lexo.al