Partia Demokratike përmes zëdhënëses Ina Zhupa i ka dërguar një letër të hapur ambasadorit të BE në vendin tonë, Luigi Soreca duke i kërkuar që ti sigurojë azil politik Xhisiela Malokut. Zhupa thekson se vajza u dhunua nga djali i deputetit të Krujës, Rrahman Rraja, ndërsa 24-vjeçari u arrestua dy muaj me vonesë dhe vetëm pas denoncimit të ish-oficerit Emiljano Nuhu.
Sipas PD, Rexhep Rraja duhej që të procedohej, jo vetëm për përndjekje, por edhe për dhunë dhe armëmbajtje, pasi me veprën penale që është akuzuar deri tani gjykata mund ti pezullojë dënimin dhe ta lerë në shërbim prove.
Zhupa thotë se në këtë cështje është përfshirë shteti dhe ka presion të madh mbi vajzën, prandaj i kërkon ambasadorit të BE që ti sigurojë azil politik 25-vjeçares së bashku me nënën dhe motrën e saj në një nga vendet e BE-së. Për rastin e Xhisiela Malokut është arrestuar Rexhep Rraja, ndërsa historia nisi pas denoncimit të ish—oficerit Nuhu, i cili më pas u largua duke kërkuar azil politik në Zvicër.