Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë po has në vështirësi. Pavarësisht se disa ditë më parë u angazhua edhe Prokuroria e Përgjithshme për të ndihmuar në këtë proces, ngërçi vijon i njëjtë. Duke qenë se për ngritjen e KLP mungon një kandidat nga Prokuroria e Apelit të Tiranës, organi i akuzës rihapi garën për prokurorët që të aplikonin për t’u bërë pjesë e organit të ri të drejtësisë. Prokuroria e Përgjithshme iu bëri thirrje në 26 shtator prokurorëve që të kandidojnë për vendin e mbetur bosh nga shkarkimi i prokurorit të Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi. Por edhe pse ka kaluar pothuajse një javë nga thirrja e organit të akuzës, sipas informacioneve të gazetës, asnjë prokuror nuk ka shprehur interes.
Mesa duket, prokurorët e Apelit të Tiranës tremben nga reforma në drejtësi. Edhe pse Prokuroria e Tiranës duhet të shërbejë si shembull për ato të rretheve, prokurorët e Tiranës nuk po e dëshmojnë aspak një gjë të tillë. Duke mos aplikuar për KLP ata po tregojnë se janë të frikësuar nga reforma në drejtësi dhe nuk duan të jenë fare pjesë e saj. Një gjë e tillë u faktua pak ditë më parë edhe nga situata e krijuar tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Edhe ky organ duhet të merret si shembull për luftën kundër krimit dhe korrupsionit pa asnjë hezitim, por kaosi i pak ditëve më parë dëshmoi të kundërtën. Një tjetër arsye për mos-aplikim është edhe heqja dorë nga privatësia. Sipas ligjit, anëtarët e KLP, KLGJ dhe SPAK do të jenë në monitorim të rreptë.
Atyre do u monitorohen telefonat dhe kompjuterët, ndërsa po ashtu edhe llogaritë bankare do të skanohen. Por teksa ngritja e KLP vijon të jetë në ngërç për shkak të frikës së prokurorëve, gazeta ka arritur të mësojë se në lëvizje janë vënë ndërkombëtarët. Sipas informacioneve, ata po kërkojnë që gjetja e kandidatëve të bëhet midis prokurorësh që tashmë e kanë kaluar sitën e vetingut, me qëllim që ngritja e këtij organi të mos vonohet më shumë duke pritur vetingun për emrat e tjerë. Dje ambasadori i BE, Luigi Soreca takoi ministren Etilda Gjonaj dhe ishte i shqetësuar për vonesat. Kujtojmë që pak ditë më parë ambasada e SHBA u bëri thirrje të gjithë prokurorëve të ndershëm e me integritet që të aplikojnë.
Ndërkombëtarët sytë te KLGJ
Në një kohë kur reforma në drejtësi ka frikësuar prokurorët e Apelit të Tiranës duke penguar kështu edhe ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, burimet i thanë gazetës se ndërkombëtarët i kanë sytë tek konstituimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas informacioneve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po presin vetëm ngritjen e KLGJ, me qëllim që më pas t’i hapet rruga ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në ligj është përcaktuar që mjafton edhe vetëm ngritja e KLGJ për të vijuar më pas me ngritjen e SPAK.
Sipas të gjitha gjasave, nuk do të jetë e largët dita kur Këshilli i Lartë Gjyqësor të ngrihet. Gazeta e raportoi pak ditë më parë që është hequr dorë nga pritja e vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për gjyqtarët kandidatë të KLGJ që u është ankimuar rikonfirmimi në detyrë. E vetmja pengesë momentalisht është kalimi në sitën e vetingut të kandidatët të vetëm për KLGJ, Luan Dervishi. Një hap i tillë pritet të hidhet së shpejti. Kjo do të thotë se edhe SPAK do të jetë gati shumë shpejt sepse, sipas ligjit, kjo strukturë e posaçme antikorrupsion ngrihet dy muaj pas ngritjes së KLGJ. Ndërkombëtarët kanë kërkuar vazhdimisht kohët e fundit SPAK me qëllim luftën antikorrupsion në nivele të larta dhe mesa duket për këtë arsye do të “përdoret” ngritja e KLGJ./Mimoza Ibra