Një shkrim mahnitës i autorit kroat, Mirosllav Kërlezha, nga viti 1924 mbi politikën shqiptare, nisjen e Princit Wied për në Shqipëri, intrigat e politikës shqiptare dhe Durrësin si vend që përherë vret mbretër, për Avni Rustemin dhe Fan Nolin, për Ahmet Zogun dhe ambiciet serbe për të pushtuar bregdetin shqiptar, për politikën e Vjenës ndaj Shqipërisë dhe nevojën e emancipimit të Ballkanit.
Nga: Mirosllav Kërlezha
Kështu ishte kjo: në uniformë për paradë, në stacionin e hekurudhës në Trieshtë, ishte rreshtuar kompania e nderit e Regjimentit perandorak dhe mbretëror Numër Katër të Bosnjë-Hercegovinës (Be-Ha-Vier), nën komandën e kapitenit perandorak dhe mbretëror baron Stockert von Bährenkopfit, togë-komandantëve zotërinj Oberleutnant Pochanka Edler von Colossalsieg Theodorit dhe Oberleutnant kalorës Rüdling von Rüdlingen dhe Rudennen Hermholdit dhe Tanhäuserit, dhe oberlaqmanit tonë perandorak e mbretëror, Sokratës Sërshkiqit.
Në uniformat e veta të çela pastele të kaltra, me «egalizirung» të kuq në të kaltër të alizarinës dhe me pulla të praruara të shkëlqyeshme, me krapllak-fesa, që ta kujtojnë gjakun e derdhur rishtas të njerëzve, me rripa të verdhë që kundërmojnë një erë të thartë të lëkurës së derrit të regjur rishtas, këto lodra të naftalinizuara, të nxjerra nga kutia e magazinës dhe të renduara në peronin e stacionit të hekurudhës së Trieshtës, si figura dekorative të lyera me vernik, qëndrojnë në këmbë të tmerrshme dhe të palëvizshme që në mëngjes prej agimit, duke mbajtur roje për ardhjen e një Koke të kurorëzuar rishtas me Vullnetin dhe Urtinë e Fuqive të Mëdha.
Në uniformën e vet gjysmë luftarake prej njëqind e tetëdhjetë pushkësh, me shpresë se do të hanin një drekë solemne shtetërore, perandorake dhe mbretërore, me mish të pjekur të viçit, me petulla e një shishe birrë, të gjitha fytyrat e kompanisë autoktone shkëlqenin nga kënaqësia, të gjithë djelmosha njëri më i gjatë se tjetri, të gjitha rrethatoret, të gjitha thembrat dhe të gjitha majat e këpucëve me thumba në një vijë, si ta kishte hequr dikush me vizore, të gjithë të qetë e shurdhmemecë në momentin kur me të rënat e trumbetave të Hajdnit u shpërnda përmbi stacion të hekurudhës fishkëllima e lokomotivës, që e solli në Adriatik një Mbret të Ballkanit, Princin e zgjedhur me dëshirën e të Madhërishmit, për nder dhe lumturi të pamasë të Popullit shqiptar.
Kur në dyert e sallonit të vagonit të Garniturës Mbretërore u duk figura e Madhërisë së Tij Mbretit të Shqipërisë së Lirë dhe të Madhe, Wilhelmit të Parë, dhe kur banda perandorake dhe mbretërore e Regjimentit të katërt, të Bosnjë-Hercegovinës luajti akordet e para të himnit shqiptar, jehuan stakatet e rrepta të komandës, vringëlluan shpatat e nikelit për nder, u ngrit me krenari shtiza e flamurit të nderit në shenjë të përshëndetjes, kurse njëqind e tetëdhjetë shuplaka të forta Be-Ha-Vier u ranë kondakëve të lidhur me hekurin e manliherkave, me aso lëvizje simultane dhe të mësuar, sa syrit të pamësuar të laikut do të mund t’i dukej sikur njëqind e tetëdhjetë automatike krisën në një moment ashtu si të ishte lëshuar në llërat e njerëzve farë mekanizmi djallëzor, i cili njeriun e bën kukull pa ide dhe të zbrazët.
Të gjithë të pranishmit në atë moment solemn e ndien madhështinë autentike të përjetimit historik patetik, kur njerëzve të thjeshtë u jepet rasti i nderit të marrin pjesë në një lojë teatrore madhështore, jo vetëm si publik, por edhe si pjesëmarrës. Rroftë Shqipëria! Rroftë Madhëria e Tij Wilhelmi i Parë, Mbreti i Shqipërisë!
Madhëria e Tij Wilhelmi I Mbreti i Shqipërisë, në gallauniformën e tij të murrme të gjeneralisimusit shqiptar me kallpak të astrakanit të bardhë dhe me puplën e gatës, me gërsheta të pasura të praruara të husarëve hungarezë dhe me dekoratat më të larta evropiane, i përcjellë nga Madhëria e Saj Mbretëresha e Shqipërisë, e pas Madhërive të Tyre suita e agallarëve dhe bejlerëve feudalë në sallonrok dhe fesa, me Shkëlqesinë e tij Esad-pashën e Shkodrës, përfaqësuesin feudal të Shqipërisë, i cili, ja, kishte blerë për vete një mbret evropian dhe tash këtë nip të («shkrimtares») Carmen Sylvës po e shpinte në pashallëkun e vet si atribut letrar stolisës të dinjitetit të vet feudal të Shkodrës. Në përcjelljen e Madhërisë së Tij Mbretit të Shqipërisë «Hof-und Leibarzt Seiner königlichen Majestät Wilhelm des I von Wied und Neuwied, König von Albanien», të veshur me uniforma me gajtanë të praruar në vernik e plumazh, ishin dr. Georg Berghausen, pastaj kavalieri major von Ghigliardi, aviatori agramer (zagrebas), ish Oberleutnant i të ashtuquajturit Feldjäger — batalionit kroat numër tridhjetë e një të Ersatz-Kompagniekader i Zagrebit, i cili, si oficer austriak në shërbimin informativ, me detyrën e lartë perandorake dhe mbretërore të spiunazhit më vulgar, kishte udhëtuar në Shqipëri, pastaj mareshali i oborrit princor von Trotta dhe disa zonja të oborrit mbretëror me prejardhje më të lartë aristokratike prej Gothe dhe Neuwiedit.
Mbi qilimin e kuq imperatorial, nëpër dhomën mbretërore vjeneze, austriake, francjozefiste të pritjes, të stolisur me lule tropikale e gjelbërim, Shkëlqesia e Tij Mëkëmbësi von Hohenlohe me një gardë të tërë të nëpunësve e lakenjve dhe oficerëve të paradës e përcolli Madhërinë e Tij deri te karroca, dhe kështu rreth tridhjetë karroca u nisën rrugëve të shkreta të Trieshtës deri në port, ku në valët e buta në diellin e hershëm të mëngjesit shkëlqente jahti i Madhërisë së Tij Perandorit të Austrisë «Taurus».
Në atë tren monumental, kur Madhëria e Tij Mbreti i Shqipërisë e pa për herë të parë Detin Adriatik, që po vajtonte thellë atje poshtë edhe Mbretërinë e Tij, u dëgjuan topat nga hapësira e detit në luftanijet ndërkombëtare, që, si përcjellje e eskadrës mbretërore, mbanin roje jashtë brezit të limanit të Trieshtës, dhe me përcjelljen e topave të kështjellës së vjetër të Trieshtës filloi kanonada, që për herë të fundit ishte dëgjuar në Pallatin e Klaudit, mbretit të Shekspirit dhe xhaxhait të Hamletit, kur kremtoheshin përshpirtjet dhe dasma së bashku, vetëm që komedia të kushtonte sa më lirë.
Sepse kjo kanonadë e Flotës Ndërkombëtare të Luftës, që po përshëndeste triumfalisht ardhjen e Sovranit të ri në bregdetin adriatik, që tash ishte kanonadë jo vetëm për këtë Mbret operet dhe për fatin e tij të mjerë, por edhe për mbarë Qytetërimin evropian, që atyre ditëve tashmë ishte ligështuar, që t’i mbyllte sytë e vet të lodhur disa çaste më vonë.
Koracata e Madhërisë së Tij mbretit të Britanisë së Madhe «Gloster», koracata e Madhërisë së Tij mbretit të Italisë së Bashkuar «Quattro», koracata e Madhërisë së Tij perandorit të Austrisë dhe mbretit të Hungarisë «Admiral von Tegetthoff» dhe koracata e Shkëlqesisë së Tij Nëpunësit më të Lartë Jakobin, Kryetarit të Republikës së Francës, «Danton» – gjitha këto koracat shtinë nga njëqind e një të shtëna nderi për lavdinë e Sovranit Shqiptar, i cili po imbarkohej në fillim të rrugës së një aventure, të denjë për penën e një Karl Maji.
Ku ishte nisur ky princ i përrallës së Grimit, kjo foshnje e Gothe-Almanakut, që nuk ka ide se, prejse është krijuar bota është shkruar që Durrësi t’i vrasë Mbretërit?
Kjo çerdhe ilire prej gjarpërinjsh, që pjell fatkeqësitë për të gjitha ushtritë dhe për të gjithë popujt e për të gjithë individët që ndonjëherë kanë pasur fatin të shkelin në këtë truall të mallkuar, për princin gjerman është Terra Vergine (kurse për ne nuk është – incognita).
Në kohën e lashtë antike, homeriane, në Durrës lindnin luftëra, pësonin të përmbyturit e vdisnin fiset nga murtaja, uria dhe sëmundjet e neveritshme, aty edhe Cezari, në luftën qytetare romake, përjetoi blamazhin e vet të parë historik. Rreth Durrësit rrjedh gjaku prej pushtuesve të Stambollit deri te normanët, prej Robert Guiscardit deri te venedikasit, kurse mbretërit serbë, të vetëquajturit maqedonë, anzhuinët, venedikasit e shqiptarët vriten shekuj me radhë rreth kryeqytetit të Wilhelmit.
Dhe kur Austria me Italinë ia rrëmbyen Mbretit serb Durrësin, si rezidencë për këtë princ të papjekur në uniformën solemne nga «Vejusha e gëzueshme», kjo operetë, sipas të gjitha ligjeve të historisë, nuk mund të mbahej në skenë as si mjet paliativ në muzgun e vetë katastrofës.
Kriza e Durrësit e tundi paqen botërore, kur midis Fuqive të Mëdha dhe Mbretit serb po luhej loja e pahijshme me mobilizime dhe ultimatume, me përqendrimet e forcave të mëdha ushtarake dhe me kërcënimet, që u ndërprenë, ja, për një moment, me këtë intermeco mbretërore të Trieshtës, me shampanjë dhe valse të Shtrausit.
Në jahtin mbretëror perandorak «Taurus» gjatë të tërë rrugës pihej shampanja dhe ngriheshin dollitë për ardhmërinë e madhe të Mbretërisë së Porsalindur të Shqipërisë, e kur dy ditë më vonë, Madhëria e Tij Wilhelmi i Parë, i përcjellë nga Oborri i tij, Madhëria e Saj mbretëresha, Lartmadhëria e Tij trashëgimtari njëvjeçar i fronit Karl Viktori Ngadhënjimtar, pastaj Lartmadhëria e Saj Kontesha pesëvjeçare Maria Eleonora, zbarkoi në kryeqytetin e vet në Durrës, gjëmuan topat, ranë muzikat, kurse populli qante në gjunjë nga entuziazmi.
Para çiftit të lartë mbretëror populli shtroi rrobat dhe qilimat e vet, kështu që këmbët e Madhërive të Tyre, prej anijes e deri në Pallat, nuk e prekën tokën e thjeshtë të përbaltë të plebejëve, dhe kështu me pëllumbat e kuq, me zurna e tupane, me fishekzjare e lule filloi një nga mashtrimet më të paskrupullta ballkanike, as i pari, as i fundit.
Me këtë veprim të tij gjenial, Ballhausplatz-i perandorak i Vjenës donte ta forconte politikën e vet imperatoriale në Ballkan dhe këtë vend fatkeq, të uritur e të mjerë ta bënte një kështjellë të tij në rrugën e Selanikut.
Të gjitha ato çështje të rënda, vendimtare dhe të ndërlikuara të Veriut dhe të Jugut, të feudalëve dhe të rajës, të gegëve dhe të toskëve, të myslimanizmit dhe të katolicizmit, plagët e hapura qindravjeçare të gjendjes mesjetare të izoluar dhe të braktisur të prapambeturisë arkaike, diplomatët ndërkombëtarë përpiqeshin t’i zgjidhin me ceremonialin spanjoll në Oborrin shqiptar dhe me Touring-klub-ndërresat nëpër dhomat e fjetjes të pallatit mbretëror.
Dhe natyrisht: të gjitha dështuan për njëzet e katër orë. Ky cirk mbretëror hipi prapë në jaht dhe shkoi në Neuwied, Esad-pasha mori sundimin e rajës pa epitetonin e vet mbretëror të ornansit, dhe nën ndikimin e përgjakshëm të luftës mbretërore përparimi i kaosit shqiptar pasoi në masë aq të lartë dhe me një ritëm aq të shpejtë, sa, kur Avni Rrustemi e vrau Esad-pashën në mes të Parisit, ai shtiu me vetëdije në këtë gjeneral turk si në një pashë feudal dhe tiran të mbarë vendit.
Pas vdekjes së Esad-pashës në Shqipëri mbretëroi gjendje hapët e armatosur (e ngjashme me kryengritjen), deri sa, pas luftimeve të përgjakshme të gjata dhe të kota me italianët e me grekët nuk u mblodh në janar të këtij viti (1924) konstituanta, me detyrë që Shqipërisë t’i japë kushtetutën.
Menjëherë pas mbledhjes së konstituantës ishte e qartë se prijësi i feudalëve dhe bejlerëve reaksionarë Ahmet-bej Zogu nuk do ta kishte shumicën feudale dhe se zgjedhjet, përkundër terrorit dhe dominimit të tij dhe përkundër vetëdijes shumë të vogël të shtresave më të ulëta, kishin sjellë fitoren e rajës mbi elementet feudale reaksionare. Prej gjithsejtë njëqind e katër votave të konstituantës Ahmet-bej Zogu dispononte vetëm njëzet e gjashtë vota të partisë së vet (popullistët), katërmbëdhjetë vota të bejlerëve dhe gjashtë vota të grekomanëve të Gjirokastrës.
Që ta ruante me çdo kusht pushtetin feudal, Ahmet-bej Zogu i dha postin e kryeministrit vjehrrit të vet të ardhshëm Shefqet-bej Vërlacit të Elbasanit, dhe ky koalicion feudaloçifligar u bë shkaktar i atentatit kundër Ahmet-bej Zogut. Kur nxënësi shtatëmbëdhjetëvjeçar Beqir Valteri në parlamentin e Tiranës e zbrazi revolverin e vet në ekskryeministrin Ahmet-bej Zogun (për të cilin dihej pozitivisht se po sundonte edhe më tutje me anë të kukullës së vet elbasanase Shefqet-beut), ky djalosh brohoriti: Vdekje bejlerëve! Poshtë feudalizmi!
Atentati nuk pati sukses; Ahmet-bej Zogu vetëm u plagos lehtë. Meqenëse Beqir Valteri ishte anëtar i një grupi të organizuar intelektualësh me kryetar Avni Rrustemin (hero kombëtar, i cili e çliroi vendin nga tirania e Esad-pashës), Ahmet-bej Zogu urdhëroi të vritej Avni Rrustemi.
Vdekja e Avni Rrustemit ishte shenjë e qartë se feudalët dhe bejlerët nuk do të tërhiqeshin pa gjak nga pushteti, dhe kështu varrimi i Avni Rrustemit qe sinjal për revolucion. Tridhjetë deputetë të opozitës – përfaqësues të rajës dhe të tendencave demokratike, që ishin tubuar në Vlorë në varrimin e Avni Rrustemit, vendosën që të mos kthehen më në Tiranë; pasi lidhën besën para përfaqësuesve të tubuar të fshatarëve se do të marrin hakun, e thirrën me ultimatum qeverinë e Tiranës që të jepte dorëheqje dhe ta pengonte kështu gjakderdhjen e panevojshme.
Koloneli Gurakuqi u nis nga Vlora për në Shkodër, e mori pushtetin e garnizonit të atjeshëm dhe filloi organizimin e kryengritjes në Shqipërinë Veriore.
Kështu shpërtheu revolucioni, në zhvillimin e të cilit nuk ndryshoi asgjë kabineti i ri i Iljaz-bej Vrionit, sepse të gjitha traktativat midis tij dhe kryengritësve përfunduan me mossukses. Në Shkodër pushtetin e mori Rexhep Shala, në Vlorë Fan Noli, në Dibër Elez Isufi, kurse në Kosovë Bajram Curri.
Kur ushtria kaloi në anën e kryengritësve, këta hynë ngadhënjimisht në Tiranë, më dhjetë qershor të këtij viti. Më parë u formua kabineti ushtarak i Rexhep Shalës, i cili pastaj ia dorëzoi pushtetin kabinetit politik Fan Noli-Gurakuqi.
Kavalieri Ahmet-bej Zogu iku me shefin e vet të gjeneral-shtabit, ish adjutantin e Wilhelm von Wiedit, von Ghigliardin në Beograd dhe, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ish kryeministrit, shtypi i Beogradit po e paraqet sot luftën politike të bejlerëve dhe të rajës në Shqipëri si luftë të ndikimit italian kundër ndikimit serb. Se në këto valë në mes të Veriut dhe të Jugut, të gegëve dhe të toskëve, të myslimanëve dhe të katolikëve, në mes të tjerash, pasqyrohej edhe lufta e komponentave italiano-serbe, për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi.
Por se kjo kryengritje e fundit e rajës shqiptare ka karakter shprehimisht antifeudal dhe se sot Beogradi, me anë të figurave të veta të kobshme, është vënë në paralele me aspiratat feudale të zotërinjve bejlerë, edhe kjo është krejtësisht e qartë. Dhe kështu sot po jemi dëshmitarë të kundërthënies së plotë që Italia industriale dhe imperialiste po e përkrah rajën shqiptare, kurse Beogradi, qendra e një shteti fshatar të Ballkanit, në valën e vet të marrëzisë reaksionare, po mban anën e bejlerëve shqiptarë.
Beogradi po e vështron sot problemin ballkanik në të njëjtin klishe në të cilin dikur Bresnic fon Sidaçofin e vështronte problemin jugosllav: populli pa histori, pa letërsi, pa tradita nuk ka të drejtë Për ekzistencë.
Divide et impera! Ashtu sikurse për zotëri Bresnic fon Sidaçofin që serbët ishin një racë më e ulët, të cilën duhej ngushtuar me rrethin e bllokadës dhe të izolimit që të shkatërroheshin dhe t’u zihej fryma në mishderrin e tyre dhe kumbullat e tyre, e pastaj të hapej para binarëve austriakë rruga e lirë për në Selanik dhe Bagdad, ashtu edhe për zotërinj fon Bresnicët e sotëm të Beogradit shqiptarët janë gjithashtu një racë më e ulët, të cilët duhet të ngushtohen me rrethin e bllokadës dhe të skllavërisë feudale që të shpartallohen dhe të therin njëri tjetrin në malet e veta në hakmarrje.
Në bregdet duhet përkrahur sistemin feudal të Ahmet-bej Zogut që t’i pengojë malësorët që t’i afrohen detit dhe të mos qytetërohen, e pastaj, në kufirin tonë jugor, po kërkuan shpëtim normal, duhet të vriten me mitraloza, dhe ne do të kemi rrugën e lirë për në Shkodër dhe në det!
Sot duhet të financohet zotëri Ahmet-bej Zogu, ky aventurier çifligar, duhet të armatoset me adjutantin e tij von Ghigliardin, këtyre zotërinjve nga hoteli «Bristol» duhet t’u vihen në dispozicion të hollat që, për këtë qëllim, na janë vënë gjithashtu në dispozicion edhe neve, sepse për këtë arsye edhe quhen: fond i dispozicionit.
Duhet të lansohet ky protégé ynë, duhet t’i lejohet që bashkë me bellogardistët rusë të organizohet e të hidhet në Shqipëri, të vrasë e të varë në Shqipëri të gjithë ata që në atë vend të mjerë e përfaqësojnë Evropën, ta pushtojë Durrësin e Tiranën dhe nën oreolin e trekëmbëshave t’i vërë vetes në kokë kurorën shqiptare si përfaqësues i sovranitetit shqiptar.
Dhe prapë do të gjëmojë kanonada e njëqind e një gjyleve të topave nga kështjellat e Durrësit e të Shkodrës, të Tiranës dhe të Shëngjinit, prapë do të ndërtohen pallatet sipas parimit të Touring-klubeve, gjeneralët zotërinj von Ghigliardi dhe kompania do të luajnë bridge dhe do t’i gjuajnë pëllumbat prej deltine, do të paraqitet një mbretëreshë e re, njëfarë Gjeraldine Aponji shumë e bukur, për të cilën ka pasur hesap t’i përlyejë duart e veta me gjak, e pastaj prapë njëfarë Fan Noli ose Shefqet-bej Vërlaci, si vjehërr i braktisur i mbretit, do të organizohet nën mbrojtjen e huaj, dhe sikurse ka ikur Neuwiedi para Esad-pashës, sikurse Esad-pasha që është zhdukur para imperativit të kohës, sikurse Fan Noli dhe Vërlaci e Ahmed-beu dhe Gjeraldina që janë vetëm episode, ashtu do të mbeten episode edhe të gjitha ato që janë vetëm dekorim dhe që nuk kanë lidhje organike me bazën popullore.
Sot, më shumë se kurrë, Ballkani duhet të shikohet në mënyrë integrale. Sot më shumë se kurrë duhet të besohet në bashkimin e Ballkanit për shpëtimin e shpirtrave tanë dhe të atyre viktimave të pafajshme, që vriten për çdo ditë nëpër shkrepat dhe malet e Ballkanit. Duhet të vendosen lidhje konstruktive që të gjitha luginat ballkanike kryq e tërthor të lidhen me binarë, sepse ku kumbon fishkëllima e lokomotivës, atje vdes hakmarrja dhe analfabetizmi shuhet.
Duhet kërkuar tymtarët e bloztë dhe ditën tetorëshe të punës! Ku krijohen sindikatat dhe zhvillohet lufta e klasave, atje fiken ceremonialet spanjolle dhe mbretizmi! Jo me mitraloza e litarë, por me libra!/Konica.al/