Ministria e Arsimit njofton se 19 shkolla shqiptare kanë marrë certifikimin nga Këshilli Evropian si shkolla “eTwinning” duke u bërë pjesë e platformës unike të bashkëveprimit të mësuesve dhe nxënësve në projekte nxitëse dhe inovatore në të gjithë Evropën. Këto shkolla të cilat janë të shpërndara në rajone dhe zona të ndryshme të Shqipërisë mund të përfitojnë grante mbështetëse për projekte propozuese nga Bashkimi Europian.
Në aktivitetin e organizuar për këtë certifikim ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e cila deklaroi se kurrikula e re dhe tekstet e reja që nxënësit shqiptarë mësojnë në shkolla bënë të mundur që edhe vendi ynë të bëhet pjesë e këtij binjakëzimi idesh mes profesionistëve të fushës. Për ministren Nikolla mësuesit shqiptarë dhe nxënësit e tyre nuk kanë asnjë dallim nga homologët e tyre në Evropë pasi planet dhe idetë e tyre zbatohen nga mësuesit e tjerë në Botë.
“Përvojat e 4 mijë mësuesve shqiptarë dhe 1150 shkollave ka qenë një eksperiencë që u ka shërbyer jo vetëm mësuesve dhe shkollave por besoj për shkak të takimeve të tilla dhe shpërndarjes së përvojës dhe modeleve. Mendoj që ka qenë një vlerë e shtuar e sistemit tonë arsimor. Do te ishte ndoshta e pamundur qe ne te ishim në lartësinë e modelit të këtij rrjeti nëse ne do ishim me kurrikulen e vjetër ose në sistemin tonë arsimor nuk do të kishim tekste të reja. Reforma e arsimit parauniversitar, që është qasje e re bazuar ne kompetencat të çdo fëmijë nga 3 ne 18 vjeç, ka bere të mundur qe mësuesit te jenë performantë. Ky rrjet do të bëjë të mundur përafrimin e shkollës shqiptare me shkollat e tjera të Evropës. Përgëzoj drejtuesit tuaj, sikurse ndihem shumë mirë që kemi 19 shkollat e para që kanë përmbushur kriteret dhe certifikohen nga Komisioni Evropian si shkolla “e Tëinning”. Për ambasadorët dhe koordinatoret e këtij rrjeti ju garantoj që do bëjmë gjithçka duhet për ta promovuar këtë rrjet”- deklaroi Nikolla.
I krijuar në vitin 2005 si veprimi kryesor i Programit të Mësimit Elektronik të Komisionit Evropian, “eTwinning” është integruar fuqishëm në programin Evropian Erasmus+, për Edukimin, Trajnimin, Rininë dhe Sportet që nga viti 2014. Në këtë rrjet Evropian përfshihen 600 mijë mësues, 195 mijë shkolla dhe 77 mijë ide, ku Shqipëria ka përfaqësuesit e saj pasi është bërë anëtare që prej vitit 2014.