Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur paraditen e sotme, ku ndryshe nga sa pritej, ka përjashtuar nga tryeza e diskutimit skandalin e fundit, ku i përfshirë është edhe deputeti Rrahman Rraja, për shkak të djalit të tij, që u arrestua një ditë më parë, pasi kishte dhunuar Xhisiela Malokun.
Ai që ka mbajtur fjalën ka qenë kreu i grupit Taulant Balla, ku është shprehur se PS duhet të ndjekë axhëndën e saj politike, dhe të lërë opozitën që të ketë pretendimet e saj.
“Opozita ka hallet e veta, duhet të merremi me axhendën tonë parlamentare dhe politike”, është shprehur Balla.
Vetë numri 1 i qeverisë qëndroi disa ditë në heshtje që prej publikimit të dëshmisë së oficerit të policisë gjyqësore Emiljano Nuhu. Vetëm të shtunën kryeministri i vendit gjeti kohën që të dënonte dhunën ndaj Xhisielës, por tha që Policia kishte bërë detyrën, duke e lënë të lirë djalin e deputetit.
Vetëm dje Rexhep Rraja u arrestua nga ana e policisë së Krujës, duke shfryrë dhe akuzat që rëndojnë në ngarkim të tij në vetëm përndjekje, dhe jo dhunë apo armëmbajtje pa leje.