Rexhep Rraja dhe Xhisela Maloku janë ballafaquar dje në Komisariatin e Krujës për afro 3 orë, të thirrur aty me kërkesë të prokurores Mirela Kapo.
Burimet thanë se dëshmitë e tyre kanë qenë kontradiktore për sa i përket ditës së dhunimit të 25- vjeçares.
Ata kanë dhënë data dhe orë të ndryshme për vendndodhjen e tyre. Megjithatë, duket se administrimi si provë i akt-eskpertimit teknik të qelizave të telefonave të të dy të rinjve ka mbështetur dëshminë e Xhisela Malokut.
Prokuroria pretendon se ka krijuar bindjen e arsyeshme se Rexhep Rraja ka konsumuar veprën penale të përndjekjes duke ushtruar dhunë.
Një provë mjaft e fortë ka qenë një përgjim ambiental në ambientet e Komisariatit të Krujës, ku të rinjtë janë lënë për pak momente vetëm dhe duket se biseda që ata kanë zhvilluar me njëri-tjetrin, ka konfirmuar plotësisht veprën penale të përndjekjes.
Megjithatë, burimet tregohen të rezervuara sa i përket bisedës së përgjuar. Kjo ka sjellë të shtunën edhe kërkesën në Gjykatën e Krujës për arrestimin e tij.
Nga ana tjetër, burimet thanë se Xhisela Maloku nuk ka kërkuar lëshimin e kërkesë-padisë për urdhër mbrojtjeje, me pretendimin se tashmë nuk e ka më të nevojshëm një urdhër të tillë.
Sa i përket akuzave të tjera, dhunës, marrëdhënieve seksuale me dhunë, apo armëmbajtjes pa leje, që përmenden në kallëzimin e Xhisela Malokut, dhënë në Komisariatin nr.3, të cilin më pas e ka tërhequr, apo atë që ka dhënë para ish-oficerit Emiljano Nuho më datë 30 korrik, ende nuk është ngritur ndonjë akuzë ndaj 24-vjeçarit Rraja./Panorama