Cristiano Ronaldo përdhunoi një modele amerikane dhe më pas i tha “më fal, zakonisht jam xhentëllmen”, sipas dokumenteve të paraqitura në një gjyq të Las Vegasit, por që vetë futbollisti i Juventusit i ka quajtur “fake news”.
Cristiano dhe Mayorga janë fotografuar së bashku në një klub. Më pas, mendohet se portugezi e ka ftuar në dhomën e tij të hotelit modelen, së bashku me një shoqen e saj. Kathryn refuzoi të futej në vaskë sepse nuk donte të prishte fustanin dhe Ronaldo i dha pantallona të shkurtra dhe bluzë, duke i treguar derën e tualetit që të ndërrohej aty. Dokumentet e paraqitura në gjyq thonë se në momentin kur po ndërrohej, Cristiano ka hyrë në tualet i zhveshur dhe ka kërkuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Ajo nuk ka pranuar, por Cristiano e ka përdhunuar në tualet. Duke dalë nga aty, futbollisti mendohet të ketë kërkuar falje, duke shtuar se zakonisht është xhentëllmen.
Vetëm disa orë pasi avokati i Mayorga dorëzoi dokumentet në gjyq, Cristiano foli nëpërmjet një videoje në Instagram, ku tha: “Jo, jo, jo. Ajo që ka dalë sot është e rreme. Fake news”.
“Duan të promovojnë veten duke përdorur emrin tim. Është normale. Duan të bëhen të famshëm duke më thënë emrin, po kjo është pjesë e punës. Unë jam një njeri i lumtur dhe gjithçka është në rregull”, tha Cristiano.