Organet ligjzbatuese amerikane këmbëngulin se efektiviteti i luftës kundër krimit, korrupsionit e trafiqeve vjen vetëm nëse goditet shpejt dhe pa vonesa, pa pasur parasysh se kë mund të kenë përballë gjatë hetimeve, kryeministër apo ish kryeministër, ministër apo ish ministër, zyrtar të lartë, kriminel apo gjyqtar e prokuror. Ata kërkojnë që “peshqit e mëdhenj” të shkojnë në qeli
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtojnë shpresën e shqiptarëve se para ligjit do të dalin të gjithë politikanët, deputetët dhe zyrtarët që kanë abuzuar, kryer krime dhe bërë trafiqe.
Paralajmërimi i parë është dhënë nga ana e ish ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu, i cili pasi vlerësoi ndryshimet tek Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi goditjen e krimit, trafikut dhe korrupsionit në nivelet e larta, pikërisht ata që ai i cilësonte “peshq të mëdhenj”.
Por teksa DEA amerikane e antidrogës është instaluar në Shqipëri përfundimisht, rasti më i fundit i arrestimit të dy shtetasve amerikanë në kufirin Shqipëri-Kosovë e tregon këtë, presioni i SHBA mbi prokurorinë shqiptare është dyfishuar.
Duke qënë se organi i akuzës ka në dorë dosjen e rëndë të trafikut të kokainës kolumbiane, mbi 613 kilogramë u sekuestruan në portin e Durrësit muaj më parë, SHBA përmes FBI kërkon që kjo dosje të përmbyllet sa më shpejt, duke mos u “fshehur” pas vonesave të letër-porosive.
Fjala është për kërkesën e Prokurorisë shqiptare ndaj homologëve gjermanë që nëse nuk do të ekstradojnë Arbër Kuliçin(Çekajn) nga Gjermania, të paktën të sillet dëshmia e tij.
Mësohet që përfaqësuesit e organeve ligjzbatuese amerikane kanë thënë dhe kërkuar në zyrën e Kryeprokurores Arta Marku se “ky është një moment me rëndësi që Shqipëria të demonstrojë se hetimet me profil të lartë publik mund të ecin përpara pa ndërhyrje politike”.
SHBA ka kërkuar që çështjet me përparësi të madhe dhe që kanë një impakt të jashtëzakonshëm në publik duhet të përfundohen në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më të efektshme.
Paralajmërimi që ka ardhur nga organet ligjzbatuese amerikane ka qënë i prerë dhe i qartë se janë gati të mbështetin vetëm një prokurori që ka vullnetin dhe profesionalizmin e kërkuar të punojë për këto çështje të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Madje sipas tyre, një efektivitet i tillë vjen vetëm nëse goditet shpejt dhe pa vonesa, pa pasur parasysh se kë mund të kenë përballë gjatë hetimeve, kryeministër apo ish kryeministër, ministër apo ish ministër, zyrtar të lartë, kriminel apo gjyqtar dhe prokuror.
Një kërkesë e tillë ka vënë në lëvizje organin shqiptar të akuzës, i cili po përpiqet që çështjet e mëdha të hetohen sa më shpejt dhe të shkojnë në gjykatë.
Ndërkohë që partnerët ndërkombëtarë jo vetëm mbështesin e financojnë luftën kundër krimit, korrupsionit e trafiqeve, por dhe monitorojnë efektivitetin e organeve ligjzbatuese shqiptare./Pamfleti