Policia e Krujës ka arrestuar Rexhep Rrajën, djalin e deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja. Ndaj tij, Gjykata vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa uniformat blu ekzekutuan vendimin e dhënë nga togat e zeza.
Rexhep Rraja është arrestuar për dhunimin ndaj Xhisila Malokut, ish të dashurës së tij. Ekspertiza ka konfirmuar se 25-vjeçarja ishte dhunuar dhe djegur me cigare. Djali i deputetit akuzohet për ushtrim dhune dhe përndjekje.
Kjo ngjarje ka ndezur arenën politike, pasi u denoncua nga ish-efektivi Emiljano Nuhu, i cili deklaroi se vet u kërcënua që të mos i merrte denoncimin vajzës së dhunuar.
Sipas tij, ai u kërcënua me pistoletë në kokë në zyrën e tij nga vëllai i deputetit Rraja, në prani edhe të deputetëve Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi.