Nuk ka fund shpejtësia skëterrë në rrugët e vendit, ku drejtuesit e mjeteve rrezikojnë të kthehen në “shofer vdekjeje”.
Në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, gjatë orëve të mesnatës mes të shtunës dhe të dielës Policia Rrugore e Tiranës ka ushtruar kontroll me radar për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Një drejtues mjeti është kapur me shpejtësi skëterrë prej 225 km/h.
“Shpejtësi e frikshme nga 28-vjeçari nga Preza e Tiranës, të drejtosh mjetin me shpejtësi marramendëse e çon veten më e pakta në spital. Kjo shpejtësi është vrasëse, papërgjegjshmëri ndaj jetës, rrezik potencial edhe për jetën e përdorueseve të rrugës”, thotë policia.
Më tej nënvizohet se Policia Rrugore e Tiranës nuk ka qëllim gjobat por ka prioritet sigurinë e jetës së përdoruesve të rrugës.
Po ashtu thuhet se publikimi i rasteve me shpejtësi apo me alkool ka vetëm një qëllim, sensibilizimin e drejtueseve të automjeteve për të zbatuar rregullat e qarkullimit me qëllimin e vetëm parandalimin e aksidenteve.
Policia Rrugore deklaron se është në detyrë me radar e drager dhe gjithë mjetet speciale që ajo ka në dispozicion për të bërë të mundur rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
“Drejtues mjetesh: Mos shpejtoni të dërgoni patentën në shtëpi, por ecni brenda limiteve që të shkoni me patentën në shtëpi se familja ju pret”, thuhet në mbyllje të qëndrimit të Policisë Rrugore.