Mërgim Mavraj është ndjerë i rrezikuar me jetë sot, në Bundesligën e Gjermanisë, pasi situata me tifozët e Hamburgut tejkaloi parashikimet dhe ultrasit mësyen dhomat e zhveshjes për të masakruar lojtarët e skuadrës së tyre, midis të cilëve edhe vetë Mavrajn. Hamburg është në krizë dhe kjo nuk përbën lajm, pasi nuk fiton prej 10 ndeshjesh radhazi. Sot, skuadra e Mavrajt regjistroi disfatën e 200-të në Bundesligë, duke humbur 1-2 në shtëpi kundër Bayer Leverkusen. Rënia nga kategoria është një rrezik mëse real, sepse Hamburg ndodhet në vendin e parafundit. Situata ku ndodhet skuadra ka bërë që edhe tifozët të mos logjikojnë më, teksa para ndeshjes kishin shpalosur një banderolë kërcënuese për lojtarët.
Hamburg humbi sërish dhe durimi sosi. Pas vërshëllimës finale të gjyqtarit të ndeshjes Hamburg-Leverkusen, tifozët vendas tentojnë të hyjnë në fushë për të nxjerrë inatin ndaj lojtarëve të skuadrës së tyre. Forcat e rendit ndalojnë mësymjen duke përdorur edhe qentë e policisë. 40 minuta pas kësaj tentative, tifozët e Hamburg nuk u dorëzuan, por tentuan edhe një herë të sulmonin lojtarët e ekipit të tyre. Këtë herë, tifozët e irrituar tentuan të hynin në korridoret e brendshme të stadiumit, përmes një platforme të impiantit. Por, përsëri pa sukses, për fat, sepse edhe një herë, forcat e rendit ndërhynë duke ndalur në kohë 60 tifozët e Hamburgut. Javën e ardhshme, Hamburgu i Mërgim Mavrajt do të luajë derbin e veriut ndaj Verder Bremen, një sfidë që mund të vendosë jo pak për fatin e një prej ekipeve më të njohura në Gjermani. /Pamfleti.com