Midis Edi Ramës dhe Erjon Veliajt ka herë pas here shkëndija mospajtimi, që shfaqen në takimet e gjysmëtakimet e ndryshme në promovimin e aktiviteteve të të rinjve në Tiranë. Në mbështetje të Veliajt më shumë del Ilir Meta dhe nuk është rastësi.
Por poli i mëkatarëve kërkon dhe një tjetër personazh të kompletohet, dhe ai është Armand Duka. Duke shfrytëzuar imazhin e disa njerëzve me reputacion në futbollin kombëtar si Lorik Cana apo dhe lojtarë të tjerë, Duka gjithnjë e më shumë i afrohet politikës, domethënë “tepsisë” së pushtetit. Natyrisht, me të vëllanë në koalicion me Lulzim Bashën ai edhe moralisht duhet të jetë në krah të opozitës, por jo, Duka i futbollit ka zgjedhur polin që dinë t’a rrafshojnë “tepsinë”.
Edhe pse ka një pazar të hapur me Edi Ramën për kullën e stadiumit “Arena Kombëtare e Tiranës”, e cila është shndërruar në “mollë sherri” për shumë të pushtetshëm, duket se Dukës së futbollit i pëlqen më shumë lidhja me tre personazhe: Ilir Metën, Shpëtim Idrizin dhe Erjon Veliajn.
Duket qartë se ambiciet e Bosit të FSHF-së i tejkalojnë konturet e futbollit, ato shtrihen në politikë, po në atë pjesë të politikës ku shtrohet bujshëm “tepsia”, që sjell fonde nëpërmjet tenderave, koncesioneve dhe aktiviteteve në dukje publike.
Mbrëmjet gala në Pallatin e Brigadave, nën bekimin e Ilir Metës, por edhe financimet për kryeministrat e ish-kryeministrat, njërin nëpërmjet kullave të stadiumit e tjetrin nëpërmjet fondacioneve të familjes, janë dëshmi që tregojnë se Duka tani është aktor i fortë në politikë. Shkatërroi futbollin për të qenë afër tepsisë së pushtetit.
Përfundimisht dhe pa mëdyshje, të poshtrit në këtë vend kanë të gjithë një fytyrë. /Pamfleti Sport