“Një horr i kthyer në hero, ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri”.
Kështu u shpreh Rama pasi foli për rastin e Fushë Krujës dhe denoncimin e oficerit Nuhu.
Rama: Oficeri Nuhu, horr i kthyer në hero, nuk i ndahemi këmba-këmbës
Më pas, ai foli për vajzën e dhunuar, duke u shprehur se ajo meriton vetëm drejtësi. Më tej, ai tha se PD, mediat dhe analistët, e kanë kthyer në “mish për topat” e tyre politike dhe mediate.
“Për mua askush nuk është mbi ligjin. Ne këtë qëndrim e kemi jo vetëm me fjalë, por e kemi materializuar sa herë jemi ballafaquar me faktet, ndryshe nga të tjerët.
Së pari, jetojmë në një kohë dhe fatkeqësisht në një mjedis ku kjo kohë e mbrapsht e shpifjes së kthyer në terror informativ për qytetarin mishërohet te partia kryesore e opozitës, si zëdhënëse kryesore e kësaj.
Unë nuk jam këtu për t’u përgjigjur akuzave haluçinante, të pabazuar si për mua ashtu edhe për kolegët.
Sa i përket vajzës, së pari Policia ka bërë detyrën në përputhje me ligjin dhe djali i deputetit nuk ka pasur asnjë trajtim preferencial. Për shkelje të procedurës, një oficer është pushuar nga puna.
Vajza e dhunuar meriton vetëm një gjë, drejtësi. Unë mbështes organet e drejtësisë që ta çojnë çështjen deri në fund.
Së treti, abuzimi publik me vajzën e dhunuar dhe transformim i dramës së saj në një motiv dhune politike është një ridhunim i vajzës, nga PD, mediat dhe analistët, të cilët e kanë kthyer në mish për topat e tyre politike dhe mediate”, tha Rama.
Ndërkohë, Kryeministri foli edhe për akuzat ndaj Taulant Ballës, si i përfshirë në lirimin e djalit të deputetit, duke i cilësuar ato si qenëri e neveritshme.
“Sulmi ndaj Taulant Ballës dhe përfshirjen e mediave qoftë edhe me indiferencë ndaj tij, e cilësoi si një qenëri e neveritshme. Sa i përket të atit të djalit, nëse nga hetimi do të ketë një provë të përfshirjes së tij, atëherë më pyesni mua çfarë qëndrimi kam unë”, tha Rama.