Lihet ne qeli Lavdërim Tufa ish-i dënuar për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes, i cili u rikthye sërish në qeli, kësaj here i dyshuar për gjobëvënie. Ne seancen e sotme ne ngarkim te tij, trupi gjykues ka vendosur ndaj tij masen e sigurise “arrest me burg”.
Ai u arrestua dy dite me pare, pasi u zbulua gjobevenia dhe kanosja qe i kishte bere nje biznesmeni, pasi ishte pajtuar nga nje shtetas italian, kundrejt nje shume te mire eurosh qe do te merrte per “punen”.
Arrestimi
Pasi rifitoi lirinë e parakohshme, rreth 3 vite më parë, Tufa është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është denoncuar nga një biznesmen, të cilin e kërcënonte për t’i dhënë 90 mijë euro. Një pjesë e këtyre parave, sipas burimeve nga Policia, ishin për llogari të një shtetasi italian, i cili pretendonte se i detyrohej biznesmeni i dëmtuar.
Ndërsa pjesa tjetër, një shumë e konsiderueshme, ishte “hak pune” për Lavdërim Tufën, si person i “pajtuar” nga italiani me iniciale P.E., 50 vjeç, për të marrë paratë. Shtetasi i huaj është shpallur në kërkim bashkë me një 49-vjeçar me inicialet A.G. nga Durrësi, të dyshuar për bashkëpunim në këtë ngjarje.
Ndërsa një tjetër, shtetasi me iniciale F.Sh., 37 vjeç, është proceduar në gjendje të lirë, pasi sipas Policisë ka qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e ka kallëzuar. Hetimet nisën nga oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës, pas kallëzimit të biznesmenit dhe përgjatë disa ditëve Lavdërim Tufa u mbajt nën vëzhgim derisa u siguruan provat e nevojshme për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
Policia tha se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Lavdërim Tufa u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një antiplumb. Ndërsa në ngarkim të 4 personave të përfshirë në këtë ngjarje janë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës për veprat penale, “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Moskallëzim krimi” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
“Do punësohem në Lundër”, si u lirua para kohe Tufa
Gjykata e Tiranës e liroi para kohe me kusht Lavdërim Tufën, të dënuarin me 20 vjet burg me akuzën e vrasjes së Fatmir Ramës, biznesmenit të njohur në Tiranë edhe me emrin “Miri i Xhikes”. Vendimi është dhënë më datën 26 mars të vitit 2015 nga gjyqtarja Hajro, e cila pranoi kërkesën e lirimit me kusht të Tufës, pasi kishte përfituar disa ulje dënimesh.
Sipas vendimit, gjyqtarja urdhëroi pezullimin e pjesës së mbetur pa vuajtur të dënimit prej 1 vit, 8 muaj e 10 (dhjetë) ditë burgim, për një kohë prove prej 4 (katër) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe i dënuari mos të kryejë vepër tjetër penale. Po kështu, në vendimin e saj për pranimin e kërkesës është shprehur se urdhëron Burgun e Fierit që të bëjë lirimin e Lavdërim Tufës.
Dy nga provat kryesore që janë marrë në konsideratë në këtë vendim të Gjykatës duket se kanë qenë raportet e burgjeve, sipas të cilave i dënuari ka pasur sjellje të mirë dhe një kontratë punësimi. Më saktësisht, Lavdërim Tufa ka paraqitur para Gjykatës një vërtetim, sipas të cilit ai do të punësohej në Lundër menjëherë pas lirimit nga burgu.
Prokuroria e përfaqësuar në proces nga Shanin Pasha është shprehur dakord me kërkesën për lirimin me kusht të Lavdërim Tufës. Mirëpo, pas lirimit, Tufa bie sërish në pranga, kësaj here për dhunë në familje. Ka qenë babai i tij që ka bërë kallëzim se është dhunuar nga i biri. Por edhe pas kësaj ngjarjeje, Tufa ka lënë qelitë e paraburgimit shumë shpejt./Panorama