Policia ka reaguar pas sulmit që iu bë ish-ministirt të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, një ditë më parë, nga një person, në bulevardin “Bajram Curri”.
Policia ka arrestuar 28-vjeçarin Edison Osmenllari, banues në Tiranë, i cili dyshohet se vuan nga problemet mendore.
Ky shtetas ka sulmuar me fjalë fyese “hajdut kriminel” dhe ka goditur me gurë jo vetëm makinën e deputetit socialist, por edhe të një personi tjetër, siç thuhet në njoftim.
Kur policia ka shkuar ta shoqërojë, ai i ka kundërshtuar edhe ata, por në pak minuta kanë mundur ta neutralizojnë.
Aktualisht, ai ndodhet në Spitalin Nr.5 për mjekim dhe mbahet nën mbikqyrje nga shërbimet e Policisë.
Ngjarja
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2, arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasin Edison Osmenllari, 28 vjeç, banues në Tiranë.
I dyshuari i sëmurë mendor, në gjendje depresive, në bulevardin “Bajram Curri” ka thyer me sende të forta xhamat e dy mjeteve (mjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin D. G., dhe mjetit tip “Tuareg” me drejtues shtetasin A. D.), dhe gjatë ndërhyrjes ka kundërshtuar punonjësin e rendit publik.
Ky shtetas aktualisht ndodhet në Spitalin Nr.5 për mjekim dhe mbahet nën mbikqyrje nga shërbimet e Policisë.