Luan Daci është një ndër gjyqtarët më të rëndësishëm të Vettingut, i zgjedhur në krye të këtyre organeve si gjyqtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Madje, për shkak të “moshës së thyer”, ai ka qënë edhe anëtar i Komitetit Ad Hoc tek Komisionerët Publik, dhe për shkak të “shortit demokratik”, që e ka shoqëruar gjatë viteve të tranzicionit qysh nga “Shkolla e Plepave” e deri tek “Çadra e 2017-ës”, edhe anëtar i Komitetit Ad Hoc të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pra ka qënë personi kyç që ka rekrutuar këshilltarët dhe personelin tjetër administrative, përfshi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të KPA-së. Zgjedhja e tij në organet e Vettingut ka shkaktuar një habi të madhe për të gjithë ata që e kanë njohur sado pak atë në jetën e përditshme dhe aq më shumë tek ata që i ka lidhur puna me Luanin, fillimisht si gjyqtar (zv/kryetar i Gjykatës) në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë deri në ’97-ën, dhe si avokat (sekser) në vitet e mëvonshme.
Edhe nga fundi ta nisësh përzgjedhjen e kandidaturave për në këto organe të rëndësishme të Reformës në drejtësi, vështirë se të shkon dora tek Luani! Nga 15-16 kriteret e kërkuar për këtë pozicion pune, ai plotëson vetm një, atë të moshës “nën 65 vjeç”, sepse është fiks 62 vjeç. Të gjithë kanë shqyer sytë nga habia kur e panë Luanin përkrah Ina Ramës, Sokol Çomos, Albana Shtyllës, Rezarta Gaba Schuetz, apo qoftë dhe me “të barabartin” me të në profesionin e avokatit – Ardian Hajdarit.
Po e nisim me ‘curriculum vitae’ apo jetëshkrimin e tij, që gjendet në dosje. Nuk e kemi fjalën tek ana formale, që gjithsesi ka rëndësi, aq më tepër për një person që aplikon për një vend të rëndësishëm pune, siç është ajo e gjyqtarit në organet e Vettingut. Në kohën e monizmit nëse këto lloj dokumentash nuk plotësoheshin siç duhet, u thoshin “letëra bakalli”.
Në kohën e sotme, me teknologji e standarde të tjera të përparuara, një CV apo jetëshkrim i tillë të çon menjëherë në skualifikim. Në udhëzimet për plotësimin e modelit të uniformizuar të CV-së, thuhet se; “punëdhënësit në përgjithësi shpenzojnë më pak se një minutë duke lexuar një CV përpara se të vendosin që ta refuzojnë atë, ose ta përzgjedhin për një shqyrtim të detajuar. Nëse ju nuk do të keni ndikimin e duhur, keni humbur mundësinë tuaj”.
Pra Luani duhet ta kishte humbur mundësinë e punësimit qysh kur CV-i e tij ra në dorën e përfaqësuesit të parë të “punëdhënësit” konkret. Ndoshta aplikanti në fjalë ka dashur t’i dredhojë apo nuk ka mundur ta kuptojë si duhet kërkesën e nenit 7 të ligjit 84/2016 “Paraqitja dhe shqyrtimi i aplikimeve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit”, pika 4, gërma “a”, ku thuhet se: “…Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 2 kopje të dokumenteve të mëposhtme: a) jetëshkrim profesional, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare…”, duke prezantuar si “jetëshkim profesional” vetëm shkollimin dhe jo eksperincën e punës, sepse përndryshe nuk kishte pse të shënonte në CV-i “shkolla e mesme e përgjithëshme – gjimnazi me mesatare 9.4”, ndërkohë që në hartimin e një jetëshkrimi “nuk përfshihen përvoja pune apo trajnime që nuk janë të rëndësishme për vendin e punës për të cilin aplikojmë”.
Aq më pak duhej të fliste për shkollën e mesme, kur ai kishte një diplomë të shkollës së lartë për “Zooteknik”.
Nga ana tjetër, ai mund të mos përfshinte në CV eksperiencën e punës prej 10 vitesh si zooteknik në ish-kooperavitën bujqësore Progonat dhe ish-Ndërmarrjen “Polo Bezhani” Tepelenë para viteve ’90, atë të zv/kryetarit të Komitetit Ekzekutiv Pluralist Tepelenë, të drejtorit të ish-Ndërmarrjes Bujqësore “Polo Bezhani” Tepelenë dhe sekretarit të Degës së Partisë DemokratikeTepelenë për periudhën 1991 – 1993, derisa “Nëna Parti” e dërgoi në Kursin e Plepave në “Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Rendit Publik”, Durrës, por duhej të shënonte patjetër eksperiencën si gjyqtar dhe zv/Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pasi mbaroi “Plepat” deri në vitin ’98, kur e larguan nga detyra me masë disiplinore, pasi kjo eksperiencë është shumë e rëndësishme për pozicionin e punës në të cilin aplikonte.
Nga ana tjetër vendos në CV-i gjuhë të huaja “anglisht e rusisht”, pa i shoqëruar me dëshmi përkatëse. Por kjo është shkelja dhe mashtrimi më i vogël i demokrat Luanit, ndërkohë që ai e quan “Fakultet Juridik”, “kursin e Plepave” dhe për eksperiencë pune si avokat përdor vetëm një copëvërtetimi si anëtar i dhomës së avokatisë në vitin 2000, të marrë pasi përfundoi detyrën politike si zv/kryetar i Komisionit Zgjedhor (përfaqësues i PD-së) në zgjedhjet lokale për Bashkinë Tiranë ku konkuronin përballë njeri-tjetrit Edi Rama dhe Besnik Mustafaj.
Me sa duket Luani ka qënë “avokat vullnetar”, përderisa nuk ka paguar detyrimet ndaj dhomës së avokatisë dhe detyrimet e tjera tatimore për 7 vite (nga 28.12.2000-18.10.2007 kur është regjistruar si subjekt tatimor me NIPT K72218029T).
Ligjërisht, Dhoma e Avokatisë, qysh në mospagesën e parë duhej të mblidhej dhe të vendsote për heqjen e licensës së avokatisë. Por problem më i madh në këtë rast është mosplotësimi i kushtit të vjetërisë në punë, jo më pak se 15 vjetë sipas ligjit, kur në fakt ai ka 10 vjetë eksperiencë pune të dokumentuar atë nga 2007-a deri në 2017-ën.
Të konkurosh për gjyqtar në institucionet e rivlerësimit me 5 rreshta CV-i, duke mos shënuar në të kërkesën kryesore që përmban pika “b”, neni 6 i ligjit 84/2016; pra “të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës”, do të thotë se garancitë nuk bazohen tek aftësitë, por tek “fshehtësitë” apo “miqësitë”. Edhe në tabelën që është ndërtuar me të dhënat sipas kërkesave të nenit 6 të ligjit 84/2016 tek rreshti “përvoja e punës” thuhet:“përvoja në punë nuk dokumentohet”?!…
Të njëjtën gjë tregon edhe leje për ushtrimin e profesionit të avokatit, ku paraqitet një dokument i firmosur në emër të të ndjerit Klenathi Koçi, qysh në vitin 2000. Pastaj, në e ka ushtruar ai këtë profesion apo jo, nuk ka asnjë dokument që ta vërtetoj. Normalisht ai së bashku me fotokopjet e librezës së punës, duhej të kishte bashkëngjitur edhe dokumentat e regjistrimit si subjekt fiskal, që ka paguar detyrimet në shtet dhe sigurimet shoqërore. Apo ka punuar në të zezë, për “të zezën” e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të kalojë në sitën e Vettingut? Mbase ankesat e disa qytetarëve për mashtrim ndaj avokat Luanit, duhet të kenë lidhje me këtë paligjshmëri të ushtrimit të profesionit. Nga ana tjetër, megjithëse tek CV-i ai ka fshehur ditëlindjen dhe adresën, madje tek faqja ku është publikuar lista e gjyqtarëve të KPA-së, ka fshehur edhe fytyrën si në një profil facebook-u, Luani i ka kaluar të gjashtëdhjetat, para se të miratohej ligji 84/2016, që do të thotë se ka një përvojë të gjatë në punë, që në fillim të viteve ’80. Siç e përmendëm dhe pak më lart, në CV-n e tij nuk duhej të mungonte kurrsesi eksperienca e punës si gjyqtar dhe zv/kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë deri në ’98-ën, sepse lidhen direkt me kërkesën e nenit 6, pika “b” e ligjit 84/2016.
Pse duhej fshehur gjithe kjo “punë e lavdishme” e Luanit për demokratizimin e sistemit gjyqsor, aq sa ai ishte i gatshëm të jepte dhe jetën në grevën e organizuar pas heqjes nga kjo detyrë, gjatë ’98-ës. Madje për hir të këtyre idealeve ai refuzoi edhe mundësinë që ju dha për t’u shkolluar më tej si jurist, siç bënë edhe shumë koleg të tij, të cilët kishin mbaruar “Kursin e Plepave” bashkë me të dhe sot janë gjyqtar apo prokuror si gjithë të tjerët.
Mbase kjo çështja e largimit nga sistemi i drejtësisë është një histori më vete, dhe për Luanin duhet të përbënte pengesën e parë të pakapërcyeshme për të mos konkuruar për organet e Vettingut. Ai e ka fshehur këtë pjesë të eksperiencës së tij në sistemin e drejtësisë, por t’mos i hapur punë vetes me disa vendime abuzuese, siç ishte dhe ai për mbrotjen nga penalizimi të vëllait të vet, të firmave piramidale, etj., por besoj se këto gabime mund të kishin qënë me të justifikueshme për shkak të mungesës së shkollimit dhe përvojës së duhur në gjyqsor, se sa kjo e paraqitjes së një lejeje të avokatisë të dhënë nga Klenathi Koçi.
Nuk e di se si ka mundur që me një vërtetim të të ndjerit Ktheanthi Koçi, që në vitin 2000, Luani arriti të çaj kordonët e institucioneve vendase dhe të huaja, të përcaktuar në nenet 7 dhe 8 të ligjit 84/2016, duke ja dalë në krye fare të organeve të Vettingut, deri tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ndërkohë që para syve ata kanë një tabelë, ku në rreshtin “m”- vjetërsia në profesion thuhet se, ka “License avokati në vitin 2000, nuk dokumentohet nëse është ushtruar profesioni”?!
Po kështu, z. Daci, në CV-in e tij, ka deklaruar që ka “ushtruar kurse të magjistraturës në Shkollën e Magjistraturës, Shqipëri gjatë viteve 1995 -1996”, megjithatë duhet vënë në dukje që Shkolla e Magjistraturës ka filluar veprimtarinë e saj mësimore shkencore në Tetor të vitit 1997.
Mirë maskimet e Luanit, por as mashtrimet e tij nuk i kanë parë këta zotërinjë?! Nuk e di ç’të drejtë morale ka ky, se për profesionale as që bëhet fjalë, të rivlerësojë gjyqtarët e prokurorët e sistemit të drejtësisë shqiptare; për pasurinë, kontrollin e figurës dhe aftësitë profesionale?! Mesa duket, problem e ka patur deri sa të mbërrinte tek ”Komisioni parlamentar ad hoc për verifikimin e kandidatëve”, pasi atje kishte mbështetjen e shokëve të partisë, që kishin marrë porosi për ta shpërblyer për kontributin 3-mujor në “Çadër”, meqë nuk mundën t’ja përfshinin dot emrin në listën e deputetëve të Partisë Demokratike për qarkun e Gjirokastrës… Kjo është vetëm “maja e Ajbergut” për gjyqtarin e KPA-së, Luan Daci, megjithatë mëse të mjaftueshme për të nisur jo vetëm procesin e shkarkimit nga detyra, por edhe atë të hetimit penal ndaj tij.
Ky nuk është gjyqtar Vettingu, ky është një turp i KPA-së, që duhet fshirë sa më parë nga radhët e këtyre institucioneve, me një ndjesë të madhe publike… /Pamfleti