Nga Ardit Rada
Partia Demokratike duket se po largohet nga aksioni politik tradicional të trashëguar nga Sali Berisha. Teksa kritikat më të mëdha ndaj Lulzim Bashës bëhen për mungesën e protestave, duket se ai ka një tjetër plan. Qysh prej vitit 2015, partia kryesore opozitare proklamoi dëshminë e ish-policit Dritan Zagani duke vijuar më pas me Babalen dhe së fundmi me Emiljano Nuhun, koleg i të parit.
Në të trija rastet bëhet fjalë për persona që kaluan kryesisht përmes Kosovës duke tentuar të strehohen në vendet e Bashkimit Evropian. Me përjashtim të Babales, që edhe pse kishte akuzat më të forta ku përfshinte ministrin e Brendshëm, dështoi në arrati. Kjo mund të ketë ndodhur sepse u braktis nga mbrojtësit, apo se i hyri një aventure individuale dhe nuk mori ‘leje’ kur kaloi kufirin. Sot, Albert Veliu është në paraburgim në Kosovë, ndërsa Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu janë sëbashku në Europën Perëndimore.
Problemi me denoncimet nuk qëndron vetëm te vërtetësia e fjalëve, por sepse ato bëhen pasi është kaluar kufiri. Me përjashtim të Babales, që foli para se të kapërcente matanë. Kjo u jep ngjarjeve të pretenduara një dimension po aq të pabesueshëm sa edhe organet ligjzbatuese që i lënë hetimet rrugës. Tashmë nuk ka asnjë dyshim që të tre personat e sipërpërmendur janë mbështetur nga Partia Demokratike dhe kanë zgjedhur të intervistohen nga gazetarë pranë kësaj force politike. Kompromentimi është i dukshëm kur mendon se Zaganin dhe Nuhun askush nuk i ndalonte të flisnin sëpari për mediat e huaja. Ndërsa Babalja akoma edhe më keq, u intervistua në ambientet e selisë së Lulzim Bashës.
Denoncimet e njerëzve që kanë humbur besimin te shteti, po kthehet si një fenomen në seri dhe me gjasë me afrimin e zgjedhjeve do të shtohen. Është mëse normale për një qytetar që të mos e gjejë veten në Shqipëri dhe të pretendojë një jetë më të mirë në BE apo SHBA. Por rruga sesi zgjedh ta përfitosh atë, nuk është kaq e shkurtër sa po ua paraqet Partia Demokratike.
Sot, Lulzim Basha ka marrë rolin e konsullit, që u siguron qytetarëve leje qëndrimi në Schengen. Partia Demokratike është kthyer në një zyrë azilantësh ku njerëz që kanë humbur shpresat te Shqipëria, mund të trokasin në çdo kohë dhe të denoncojnë lloj-lloj historish. Përmes këtij aksioni, opozita (ku LSI nuk përfshihet në organizim) po përpiqet të krijojë një grup njerëzish në shtetet e Bashkimit Evropian. Po përpiqet të ketë ‘Izet Haxhinjtë’ e saj që për vitet e jetës në vijim, të mbushin rrjetet sociale me postime, ndonjë intervistë ekskluzive tek-tuk dhe faqet rozë të gazetave në pushimet e verës.
Duke tentuar të krijojë një opozitë në diasporë, një disidencë në arrati, Lulzim Basha po i kërkon perëndimit ndihmë me gojën e të tjerëve për të rrëzuar Ramën, sepse me votë është i pamundur përballë krimit (!?)
Vetëm se opozita ka zgjedhur njerëzit e gabuar për kësi punësh: Të tre personat që kanë ‘çarë ferrën’ kanë probleme me Gjykatat dhe Prokurorinë.
Se në fakt po të ishin në Shqipëri… me këtë farë drejtësie, asgjë nuk do t’u ndodhte!