Në cilën periudhë të shtetit “modern” shqiptar, kemi pasur sistem drejtësie të sigurtë, të qartë dhe të ligjit të zbatuar! Praktikisht asnjëherë! Tentativat e Zogut, për ti bashkangjitur drejtësisë dhe prokurorisë shqiptare persona dhe specialistë të huaj, janë më të mirat e mundshme, por që nuk kanë krijuar ndonjë hapsirë kaq të madhe trashëgimie juridike dhe në sistem të tillë! Kemi pasur një drejtësi dhe sistem të korruptuar në vitet përpara 1920-të, si nga pushtuesit dhe guvernatorët dhe përpara 1913-tës nga otomanët dhe xhonturqit, por dhe osmanllinjtë!
Sot ne pothuaj atë korrupsion dhe padrejtësi kemi! Biles e kemi dhe më keq, sepse në drejtësinë e sotme dhe prokuroritë e vendit ka kasta bashkëpunëtore me krimin dhe antiligjin! Në atë kohë, vinte puna dhe drejtësia komandohej, sepse nuk kishte sovranitet dhe padyshim që kur teprohej, njerëzit e asaj farë drejtësie iknin ose largoheshin! Krijimi i një drejtësie ushtarake nga Gjenerali Trollman nga vitet 1916-të, ishte një goditje për turkoshakët e mësuar për faqe të zezë me ligjin, por drejtësia austriake edhe pse perfekte, ishte shumë militare si në pushtim!
Gjithsesi ishte vërtetë një dy vjeçar që krijoi në kontekstin e kohës dhe pushtimit apo luftës, një koncept modern dhe bazik mbi ligjin dhe mënyrës për ta zbatuar rigorozisht atë! Konceptin zyrë magjistraturë, avokat dhe rregulla prokurorie! Por ishte një kohë pushtimi dhe lufte! Po ashtu guvernatorët Philips dhe De Bardi në Shkodër, ku ishte i vetmi vend që mund të kishte zyra, krijuan sistemin e parë të drejtësisë dhe prokurorisë, ku ishin të huaj më shumë se vendas! Ishte eksperienca e parë reale e krijimit të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm ngarkimit të ministrave dhe prokurorëve pa sistem sikundër ishim mësuar prej kohe! Përpjekjet e shtetit shqiptar mbas 1920-tës ishin sublime në raportin që kishte Shqipëria me afrimin drejt perëndimit! Kishin asistencë dhe pranonin asistencë dhe njerëz jo vetëm në xhandërmari, por dhe gjykata dhe prokurori! Ishin në ngjashmëri me 1914-tën e Vidit, por jo me hilet e asaj kohe!
Por dhe gjatë kësaj periudhe ajo që u vu re ishin mos funksionimi në zyrat e drejtësisë nga nëpunësit shqiptarë! Po po, sa vinte e shtohej “sovraniteti” domethënë sa më shumë shqiptarët merrnin në dorë drejtësinë, aq më shumë degradohej ajo dhe korruptohej qartësisht dhe me shpejtësi skëterre! Ryshfeti dhe mos zbatimi ligjit, në sistemin e drejtësisë, del qartë në raporte dhe urdhëresa apo materialet e kohës nga 1920-ta deri në 1924-tër! Po nga Zogu, Delvina, Vrionit, Evangjelit, Verlacit! Por dhe nga Noli në 1924 dhe më pas Vrioni, deri sa kthehet Zogu! Po kështu, ka vazhduar dhe pse kërkoheshin njerëz nga jashtë si prokurorë dhe në gjykatë! Gjithsesi ishte e vështirë që shqiptarët të konceptonin drejtësi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë si – ligj! Në kohë monarkie, u vu nën një farë kontrolli, por sigurisht rëndësia e zbatimit të ligjit ishte larg së qenë botëkuptim masiv! Drejtësia u asistua nga jashtë dhe këtë e bëri mirë Zogu, por ashtu dhe prokuroritë, por e gjitha mbeti pastaj nga varësia e madhe me Italianët dhe fashizmi!
Pushtimi kishte zyra të qarta, por dhe ideologji dhe fashizëm në drejtësi! Pavarësisht kësaj, zbatimi ligjit si koncept kishte një lloj kualiteti më të lartë dhe të kontrolluar. 1944 e më vonë, largoi dreqësinë e ligjit të zbatuar dhe solli ideologjinë, humbjen e mbrojtjes, por dhe prokuroritë ideologjike kudo! Humbi koncepti i pavarësisë, sepse hyri varësia politike dhe ajo e urdhërit! Filloi krimi politik! Mbas ’90-tës doli “liria e madhe e juridikut absurd”! Ose më mirë të themi, prodhimi i monstrave juridiksa dhe lartësimi në shkallët e larta të gjykatave dhe prokurorive, i monstrave të korrupsionit dhe urdhërit partiak, apo aferës korruptive mbi bazën e politikës! U prodhuan Kryeprokurorë politikë partiakë, gjykatës korruptiv dhe trupa gangsterësh në drejtësi dhe prokurori! Të pasuruar me gjak nga pronat e drejtësisë së munguar dhe të pa drejtë, me vendimet e bazuara mbi korrupsion dhe pagesa nën dorë dhe mbi dorë, mbi urdhërin partiak! Filloi sovraniteti i shqiptarëve kundra shqiptarëve në drejtësi! Shpikje e Sali Berishës dhe sundimit të tij mbi drejtësinë që ligjin e shkel me këmbë! Prodhimi i injorantëve tragjik të prokurorive dhe gjykatave, që ju kanë pirë gjak shqiptarëve prej 27 viteve! Edhe më të poshtër se gjakatarët politik të Enverit!
Këto të 27 viteve në drejtësinë shqiptare vërtetojnë se “sovraniteti i drejtësisë në Shqipëri” është një monstro krimi kundra shqiptarëve! E ka lënë (shqiptarin) pa tokë, pa bukë, pa pronë dhe me telashe të mëdha ligjore pa fund! Ka nxitur krimin, përdhosjen e ligjit dhe kushtetutës, nxitjen e urrejtjes por mbi të gjitha prosperitetit të politikanit kriminel dhe kriminelit politikan në Shqipëri! Po sigurisht duke mbushur drejtësinë me “lejfenë politikë në dijeni” dhe plot me hajdutë dhe kriminelë të ligjit si prokurorë dhe gjykatës! Sigurisht jo të gjithë, por me një sasi impresionante e cila të lë të kuptosh qartë dhe mirë, se “ne nuk jemi të zot të kemi njerëz në drejtësi që vendosin drejtësinë”!? As djathtas dhe as majtas, sepse kështu janë ndarë sot politikisht më keq se në kohë të Enverit – ideologjikisht!
Shumë kush ka të drejtë kur mendon se ky “stan këtë bylmet prodhon” dhe nuk ka besim më te njerëzit e drejtësisë shqiptare! Jo, nga çdo i huaj kanë besim dhe aspak nga shqiptarët! E sigurisht që është e drejtë kjo mënyrë të arsyetuari deri tani! Nuk besohet më te prokurorët shqiptarë. As te gjykatësit shqiptarë! Janë një shumicë e molepsur me padrejtësinë në sistem! Janë pasuruar pa drejtësisht dhe kanë shkelur ligjin ato vetë me shumicë! Nuk ju besohet më askujt! As atyre që medemek janë përballur politikisht me njeriun numër një që ka prishur drejtësinë shqiptare ose SB-ja!
Kur po dëgjoja prokuror Hajdarin që maxhoranca e sotme e ka bërë Kryeinspektor (dhe që ka projektuar një sistem hibrid të pa zbatueshëm inspektimi) i cili thoshte: të isha unë në vend të Kryeprokurores do ti mblidhja të gjithë prokurorët për të pasur solidaritet, me erdhi për të vjellë! Për dy elementë?! E para, se ky njeri vdes për tu bërë pak “Kryeprokuror se është ngatërruar me patriotin e tij ish President dhe Kryeministër dhe e dyta, sepse kërkonte solidaritet me një pjesë të madhe të krimit në drejtësi!? Jo, Kryeprokurorinë, Kryegjykatat dhe pallatin e drejtësisë (i cili nuk është ndërtuar akoma) duhen ta kontrollojnë të huajt. BE, USA, Gjermani, Itali, etj., etj!? Nuk ka asgjë se na largojnë paksa sovranitetin në këtë drejtim! Si do që ta bëjnë, do të jenë më të besueshëm dhe më në zbatim të ligjit. Absolutisht po! Të vjen keq ta thuash, por është deri tani fatkeqësi “sovraniteti i drejtësisë shqiptare”?! Pse? Po sepse “sovraniteti i drejtësisë shqiptare” është vasaliteti ndaj krimit, korrupsionit dhe politikës!? Ky sovranitet drejtohet kundra shqiptarit dhe qytetarit normal. Kaq, asgjë më shumë se sa kaq!
Nga Besi BEKTESHI