Gjatë një viti në Shqipëri qarkullojnë rreth 7 miliardë dollarë para të pista. Ndër vite është folur se në politikë, drejtësi dhe shumë institucione kushtetuese janë bërë pazare, por deri më sot është mister se si kanë arritur politikanët të fshehin pasurinë. ILDKP ka kallëzuar vetëm një numër të ulët pushtetarësh, ndërkohë që rezulton se në Parlament ka “sheikë” për nga pasuria. Por duket se një pjesë e madhe kanë gjetur strehim për të fshehur të ardhura në bankat, kompanitë offshore dhe kompani të ndryshe në vende jashtë Shqipërisë.
Por ka dhe shumë të tjerë që marrin miliona lekë nga aktivitet kriminale jashtë vendit. Gazeta ka siguruar një raport të Global Financial Integrity (GFI), një ndër kompanitë më prestigjioze në botë, që jep të dhëna mbi paratë e pista që dalin dhe hyjnë në të gjitha shtetet e botës. Kompania me qendër në Uashington, një herë në dy ose tre vjet publikon të dhëna mbi financuar që dalin jashtë vendit, por këtë herë ka dhënë informacione dhe për ato që hyjnë.
Në raportin më të fundit janë dhënë informacione për periudhën 2005-2014 dhe për vitin 2014. Aty bëhet e ditur se për vitin 2014, kanë qarkulluar plot 7.6 miliardë dollarë të pista. Pra kaq është shifra e parave të pista që kanë hyrë dhe kanë dalë jashtë vendit në një vit. Siç thekson raporti, janë para të vëna nga evazioni fiskal, krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Sipas raporti në harkun e 10 viteve, 2005-2014 kjo shifër shkon në 59 miliardë dollarë. Ashtu si çdo vit, GFI flet për para të llogaritura mbi flukset tregtare, por shpjegon se përmes mashtrimeve që bëhen në dogana, kjo lejon që të korruptuarit të nxjerrin jashtë vendit të gjitha të ardhurat. Çdo vit kjo organizatë jepte informacione vetëm mbi paratë që kalonin në shtetet e huaja, por këtë herë tregohen dhe paratë që vijnë në vendin tonë nga kontigjentë kriminalë.
Kjo tregonte se Shqipëria përveçse nxjerr para të pista jashtë, është kthyer dhe një vend ku depozitohen para krimi e korrupsioni. “Flukset e paligjshme financiare në vendet në zhvillim lehtësohen nga mungesa e transparencës në nivel global për sistemet financiare që japin mundësi për shmangien e taksave, rritjen e korrupsionit apo krijimin e kompanive guaskë. Ka teknika të panumërta për të lëvizur në mënyrë të paligjshme paratë nga një vend në tjetrin ose për të pastruar paratë e pista. Këtu përfshihet keqpërdorimi i tregtisë, me qëllim që të zhvendosen të ardhurat e marra në mënyrë kriminale”, thekson raporti. Sipas tij, në Shqipëri është rritur me 6% futja e parave të pista në vitin 2014.
Analiza e agjencisë
Agjencia amerikane ka treguar me detaje se përdor raporte e Bankës Botëror dhe të FMN për të bërë një bilanc mbi paratë e pistë që qarkullojnë. “Mospërputhja tregtare realizohet duke mashtruar me vlerën ose vëllimin e një eksport/importi në faturën doganore. Kjo është një mënyrë e pastrimit të parave, pasi ndryshimi i çmimit të një malli ndihmon kriminelët, zyrtarët e korruptuar të zhvendosin në vende të tjera shuma të mëdha parash, pa i zbuluar njeri”, thuhet në raport.
Rreziku i politikanëve dhe kriminelëve
Duke qenë se GFI ka dhënë një shifër të saktë për paratë e pista që qarkullojnë brenda një viti, kjo do të thotë se deputetë, ministra e ish-ministra dhe bosë të krimit do jenë të rrezikuar nga SPAK. Kur të ngrihet Struktura e Posaçme Antikorrupsion, në fokus të saj do të jetë pikërisht arrestimi i të korruptuarve, bosëve të krimit dhe zbulimi i parave të vëna në mënyrë të paligjshme. Por fati që amerikanët kanë të dhëna mbi paratë që qarkullojnë, atëherë do të thotë se të gjithë janë të rrezikuar. Me ngritjen e SPAK, nuk do ketë vetëm arrestime, por dhe zbulim të parave të pista që hyjnë e dalin në vend. /Kliti Topalli