Partia Demokratike duket se është kthyer në një zyrë emigracioni për punonjës policie në mos sharlatanë, të dyshimtë. Rasti më i fundit është ai i Emiljano Nuhut.
Pas denoncimit të një vajze në Krujë, se ishte përdhunuar nga djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, ai ka menduar ta shfrytëzojë atë për të përfituar azil.
Nuhu ka trokitur në dyert e PD-së, ku ndër të tjera, mësohet se i kanë thënë që të përmendë edhe emrin e Taulant Ballës.
Nuhu u ka thënë se “nuk e njoh Taulant Ballën”, por në PD e kanë siguruar se do t’i rregullonin letrat për azil, dhe ai është bindur.
Pasi kanë xhiruar intervistën e nxjerrë nga gazetari pranë PD-së, Basir Çollaku, mësohet se Nuhut i kanë dhënë 10 mijë euro dhe e kanë nisur drejt Zvicrës.
Aty atë e priste një tjetër ish-polic i përdorur nga PD, Dritan Zagani.
Ata janë fotografuar dje bashkë në një autobus në Gjenevë, foto të cilat janë publikuar dhe nga gazetari Artan Hoxha.
E gjithë kjo tregon inskenimin e ngritur nga PD për Taulant Ballën, e cila me këtë rast, ka devijuar edhe ngjarjen e vërtetë, që është akuza e një vajze se është përdhunuar nga djali i deputetit socialist.
PD-së nuk i intereson zbulimi i së vërtetës dhe ndëshkimi i djalit të deputetit socialist, nëse e ka përdhunuar ish-të dashurën e vet, por ka inskenuar një ngjarje tjetër, sikur në të është përfshirë edhe Taulant Balla.
Ky i fundit për vite me radhë ka qenë “armiku” numër një për familjen Berisha dhe së fundmi edhe për Lulzim Bashën, me denoncimet për paratë që merr kunati i Bashës, nga biznesmenë të ndryshëm.
Dhe për këtë arsye, ai është vënë në qendër të inskenimeve që iu ka dalë boja shumë shpejt./TemA