Përplasjet mes qeverisë dhe presidentit sa i takon marrëveshjes me Greqinë sa vijnë dhe shtohen. Që prej muajit korrik në tryezën e kreut të shteti ka vajtur drafti i dakordësuar mes ekspertëve shqiptarë dhe atyre grekë. Qeveria ka kërkuar nga Meta që ai të japë pëlqimin që drafti të shkojë në Parlament, me qëllim që të finalizohet. Por kreu i shtetit deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje, duke ngrirë marrëveshjen. Por gazeta ka mësuar se presioni ndaj Ilir Metës gjatë ditëve të fundit është rritur ndjeshëm. Pakti detar me Greqinë është vendimtar për hapjen e negociatave në qershor dhe nëse nuk ka konsensus Qeveri-Presidencë, atëherë rrezikohet që të gjithë reformat të hidhen në erë.
Sipas burimeve në qeveri, në muajin dhjetor do të jetë një mbledhje të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian, ku pala shqiptare duhet të raportojë se sa janë realizuar kushtet nga muaji qershor e deri në dhjetor. Në qershor vendet e BE kërkuan me ngulm të ecet me luftën antikorrupsion dhe të ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit. Por në fund të korrikut komisioneri Hahn erdhi në Tiranë dhe një ndër çështjet e biseduara është dhe ajo e marrëdhënieve me fqinjët, ku ai deklaroi hapur se pakti me Greqinë duhet të mbyllet.
Burime shumë të sigurta të gazetës pranë Ministrisë së Jashtme thanë se qeveria ja ka bërë të ditur Metës se deri në dhjetor kjo çështje duhet të jetë mbyllur, pasi rrezikohen negociatat. Por burime nga Presidenca u shprehën se ndaj Metës ka pasur presion dhe nga ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas. Ky i fundit ja ka bërë të ditur Metës se pa u zgjidhur kjo çështje s’mund të ketë hapje negociatash. Por kreu i shtetit vijon të mbajë të bllokuar dosjen, duke mos dhënë asnjë sinjal mbi atë se çfarë do të ndodhë.
Gazeta e tha pak ditë më parë se qeveria është duke menduar që të anashkalojë Metën, nëse ky i fundit nuk merr vendim. Nuk është çudi që në fund të nëntorit pakti të shkojë në Parlament pa aprovimin e kreut të shtetit. Duke qenë se në dhjetor Brukseli kërkon prova për negociata, kjo çështje mund të lërë vendin jashtë BE.
Rritet presioni grek ndaj Ilir Metës
Sinjalet e Ilir Metës për të bllokuar finalizimin e paktit Shqipëri-Greqi për kufirin detar kanë rritur presionet ndaj tij. Një lëvizje e tillë do të tensiononte marrëdhëniet mes tij dhe Athinës. Meta njihet për afeksionin ndaj grekëve. Ai është i vetmi shqiptar i dekoruar me “Kryqin e artë” nga Greqia, ndërsa dy vite më parë kur pati përplasje të forta mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, ishte Meta ai që ndërhyri dhe qetësoi situatën. Po ashtu, me të marrë detyrën, Ilir Meta i dha nënshtetësinë shqiptare kryepeshkopit Janullatos. Pra të gjitha këto duket se vënë Metën me shpatulla pas murit.
Nëse Meta bllokon paktin, atëherë do duhet të përballet me Greqinë dhe Brukselin. Vetë ministri Kotzias pak ditë më parë deklaroi hapur se është Meta që po e bllokon paktin. Ndërsa Komisioneri Han ka bërë disa herë thirrje që mos të ketë vonesa. Tani Meta duhet të zgjedhë, të zhbllokojë paktin dhe të hapë rrugën e negociatave, apo të minojë procesin dhe t’i tregojë qeverisë se është ai që vendos për marrëveshjen ndërkombëtare. Çfarëdo që të bëjë Meta, duhet që deri në dhjetor të marrë një vendim. /Kliti Topalli