Tirana është shndërruar në një ndër qytetet më atraktive dhe që ngjall kureshtjen jo vetëm të fqinjëve, por të turistëve nga vende të ndryshme.
Gjermanët, italianët dhe polakët kryesojnë numrin e turistëve duke shënuar për këtë vit një numër rekord. Nga të dhënat e INSTAT rezulton se turistët nga Gjermania kanë shënuar një rritje me 82.5% ose 21.300 më shumë krahasuar me një vit më parë.
Një rritje të ndjeshme vërehet edhe nga turistët italianë të cilët në jo pak raste e kanë vizituar kryeqytetin më shumë se një herë. Krahasuar me vitin 2017, numri i turistëve është 35.5% ose 30.000 turistë më shumë, ndërsa ata polakë kanë shënuar një rritje me 17.7% ose 5.500 turistë më shumë.
Vendet nga të cilat vijnë janë të ndryshme, madje kohët e fundit harta është zgjeruar edhe me shtete si Brazili, Zelanda e Re apo vendet aziatike.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit ka bum turistësh nga Kina.
Ura e Tabakëve, Kalaja e Tiranës që është pjesë e kujtesës historike të kryeqytetit; Mozaiku i periudhës romake, evidenca më e vjetër; Pazari i ri i transformuar tërësisht nga Bashkia e Tiranës, kulla e Sahatit, dhe godinat e tre besimeve kryesore fetare që bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën, janë vizituar si rrallë herë këtë sezon nga turistët e huaj.
Në sheshin “Skënderbej” të duket si një kryqëzim kombesh, pasi shikon edhe anglezë, kinezë, etj, ndërsa Piramida, Muzeu Historik Kombëtar, Kulla e Sahatit, Bunk Art, etj, janë disa prej vendeve që ngjallin kureshtje për turistët.