Presidenti argjentinas është pjesë e listës së botuar nga ana e studios ligjore në Panama, sipas të cilës 12 kryetarë shtetesh dhe 143 politikanë kishin fshehur pasuritë në parajsat fiskale të Panamasë
Presidenti shqiptar, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në SHBA, në kuadër të punimeve të konferencës së zakonshme të OKB, zhvilloi një takim dhe me homologun argjentinas, Mauricio Macri.
“Kënaqësi të takoja Presidentin e Argjentinës, Mauricio Macri. Diskutuam për të ardhmen e marrëdhënieve dypalëshe dhe i urova suksese në reformat ekonomike që ka ndërmarrë”, shkruan Meta në postimin e tij.
Por për të gjithë ata që nuk e dinë, presidenti argjentinas është pjesë e listës së botuar nga ana e studios ligjore në Panama, sipas të cilës 12 kryetarë shtetesh dhe 143 politikanë kishin fshehur pasuritë në parajsat fiskale të Panamasë.
“Nxjerrja e informacionit masiv nga një studio ligjore në Panama, një vend i njohur si “parajsë fiskale” ka zbuluar se si disa nga njerëzit më të pasur të botës i fshehin pasuritë e tyre. Akuzat prekin shumë vende të botës dhe në to përfshihen disa udhëheqës botërorë.
11 milionë dokumentet e firmës ligjore “Mossack Fonseca” që iu dorëzuan shtypit nga një burim anonim, zbulojnë se si njerëz të pasur dhe të fuqishëm përdorin “parajsa fiskale” si Panamaja, për t’iu shmangur taksave, për të fshehur korrupsionin, apo për t’iu shmangur sanksioneve.
“Shohim se njerëzit që duan të fshehin identitetin e tyre e kanë shumë të lehtë të krijojnë kompani sekrete të dyshimta në një numër juridiksionesh. Këtë ata e bëjnë para së gjithash për të fshehur lidhjet e tyre me paratë”, thotë Maggie Murphy, e Transparency International.
Në “Dokumentet e Panamasë” janë përmendur 12 kryetarë shtetesh, mes tyre 143 politikanë nga 50 vende të ndryshme të botës.
Në dokumentet e zbuluara thuhet se kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson, ka fshehur miliona dollarë nga investime të padeklaruara në bankat e vendit, përmes një kompanie në një prej parajsave fiskale.
Po ashtu përmenden udhëheqës të lartë të Partisë Komuniste të Kinës- përfshirë familjen e Presidentit Xi Jinping. Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri, akuzohet për mbajtjen e pasurive të padeklaruara në Bahamas”, shkruante mes të tjerave “Zëri i Amerikës” në atë kohë.
Dhe Ilir Meta, i mbiquajtur “Sheik”-u shqiptar për shkak të pasurive dhe pronave që disponon pa qenë zyrtarisht asnjë ditë biznesmen, në këtë takim të përzemërt në SHBA duket sikur e pyet homologun argjentinas nëse vijojnë të jenë të sigurta paratë në këto parajsa fiskale. /Pamfleti