Lulzim Basha, aktualisht kreu i PD-së, kur mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës premtoi luftë pa kompromis kundër ndërtimeve në kryeqytet, gjë e cila realisht nuk ka ndodhur. Për më tepër, gjatë kohës që ka drejtuar Bashkinë e Tiranës, Basha i ka dhënë ortakut të vjehrrit të tij leje ndërtimi për pallat në Tiranë.
CNA.al ka siguruar dokumentin ekskluziv dhe lejen e ndërtimit në Tiranë, në kohën kur Bashkia e kryeqytetit drejtohej nga Lulzim Basha. Dokumenti i siguruar nga CNA.al vërteton se Basha i ka dhënë leje ndërtimi në Tiranë ortakut të vjehrrit të tij në biznes, Xhuvi Sharxhi.
Xhuvi Sharxhi është ortaku i Xhafer Isufit, në kompaninë “Xh&Xh 2010” SH.P.K, sipas ekstraktit të QKB, kompani kjo e themeluar në vitin 2010 një vit përpara se Lulzim Basha të merrte detyrën e kryebashkiakut të Tiranës.
Ekstrakti historik tregon se Xhafer Isufi dhe Xhuvi Sharxhi janë ortakë në biznesin e ndërtimit në subjektin “XH&XH”, e themeluar me 26/10/2010 dhe me aktivitet “Investime ne fushen e ndertimit, turizmit dhe ne fusha te tjera, shitblerje pasuri te patundshme, prodhime inertesh” .
Leja e ndërtimit e dhënë nga Lulzim Basha për ortakun e vjehrrit të tij është për një pallat 9-katësh, ku përfshihen struktura banimi, shërbime të tjera dhe dy kate parkim nën tokë, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit. Pallati në fjalë është ndërtuar te Rruga e Elbasanit, një nga zonat më të shtrenjta në kryeqytet, në një pikë ku prej shumë vitesh nuk jepej leja. Duhej Basha kryebashkiak dhe ortakëria me vjehrrin të sillte lejen?!
Askush nuk e beson tani se Lulzimi jep leje për vjehrrin apo ortakët e tij, përkundrazi ai është gati t’ju sekuestrojë çdo pasuri siç deklaroi dje dhe vetë, megjithëse asnjëherë publikisht dhe media nuk pranon të flasë për kompanitë e vjehrrit të tij, kunatit të tij dhe familjes, edhe aty ku drejton bashkëshortja Aurela Isufi-Basha.
Në dokumentin i cili mban firmën e Lulzim Bashës, thuhet “Plani i vendosjes së zonës që zhvillohet për strukturë banimi dhe shërbime 5, 7 dhe 9 kate me dy kate parkim nën tokë, në rrugën e Elbasanit me pronar Ilir Kokomiri, Haxhi Stringa, Fatrbardha Tushe, Beqir Stringa dhe Zhvillues, Xhuvi Sharxhi me subjekt ndërtues Shoqëria “2G” SH.P.K. Sipërfaqja e tokës që zhvillohet 707 metër katëror, sipërfaqja e tokës së zënë 346 metër katëror.”
Xhuvi Sharxhi është dy herë ortak, në një dokument dhe biznes në QKB dhe në pallatin e Vlorës, i cili u shemb nga qeveria “Rama” dhe për të cilin shqiptarët do paguajnë mbi 16 milionë euro. Një pallat ndërtuar në bregun e detit, që tani kostot janë miliarda, në një gjyq ku ortakërine Xhuvi Sharxhi-Xhafer Isufi e mbronte avokatja e popullit sot Erinda Ballanca.
Basha e deklaroi si “luftë” pa kompromis kundër ndërtimeve në Tiranë, por përtej “gjumit” duke harruar punët në shërbim të qytetit dhe qytetarëve, ka punuar për të zgjeruar bizneset e familjes së tij dhe ortakëve të saj, ashtu siç po bën edhe aktualisht si kryetar i opozitës.
Pa folur për luftën kundër oligarkisë, lejeve të dhëna për ortakët e vjehrrit apo disa dhjetra milionë euro pasuri të tij që ja kalojnë shumicës së oligarkëve në standartin shqiptar.
Më poshtë fotot e pallatit të perfunduar pas lejes së dhënë nga Basha kur ishte kryebashkiak i Tiranës./CNA.al